1 Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit.

2 Dhe unë po ju lavdëroj, vëllezër, që më kujtoni në të gjitha gjërat dhe i zbatoni porositë ashtu siç ua kam transmetuar.

3 Por dua që të dini se kreu i çdo njeriu është Krishti, edhe kreu i gruas është burri; edhe kreu i Krishtit është Perëndia.

4 Çdo burrë, kur lutet ose profetizon kokëmbuluar, turpëron kryet e tij.

5 Edhe çdo grua, që lutet ose profetizon kokëzbuluar, turpëron kryet e saj, sepse është njëlloj sikur të ishte e rruar.

6 Sepse në qoftë se gruaja nuk mbulohet, le t'ia presin flokët; por në qoftë se për gruan është turp të qethet a të rruhet, le të mbulojë kryet.

7 Sepse burri nuk duhet të mbulojë kryet, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, kurse gruaja është lavdia e burrit,

8 sepse burri nuk është nga gruaja, por gruaja nga burri,

9 edhe sepse burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin.

10 Prandaj gruaja, për shkak të engjëjve, duhet të ketë një shenjë pushteti mbi kryet.

11 Gjithsesi në Zotin as burri s'është pa gruan, as gruaja pa burrin,

12 sepse sikurse gruaja vjen nga burri, ashtu edhe burri lind nëpërmjet gruas, dhe çdo gjë vjen nga Perëndia.

13 Gjykoni ndër veten tuaj. A i ka hije gruas t'i lutet Perëndisë pa u mbuluar?

14 Po vetë natyra, a nuk ju mëson se, në qoftë se një burrë i mban flokët të gjata, kjo është çnderim për të?

15 Por në qoftë se gruaja i ka flokët të gjata, kjo është lavdi për të, sepse flokët i janë dhënë asaj për mbulesë.

16 Por në qoftë se ndokush mendon të kundërshtojë, ne s'kemi zakon të tillë, as kishat e Perëndisë.

17 Por, duke porositur këtë, unë nuk ju lavdëroj, se ju mblidheni, jo për më të mirën, po për më të keqen.

18 Para së gjithash, sepse dëgjoj se kur bashkoheni në asamble ka midis jush përçarje, dhe pjesërisht e besoj.

19 Sepse duhet të ketë midis jush edhe grupime, që të njihen në mes tuaj ata që janë të sprovuar.

20 Kur mblidheni bashkë, pra, në një vend, kjo që bëni nuk është për të ngrënë darkën e Zotit,

21 sepse, në të ngrënët, gjithësecili merr darkën e vet më përpara; dhe njëri ka uri dhe tjetri është i dehur.

22 A nuk keni, pra, shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo përbuzni kishën e Perëndisë dhe turpëroni ata që s'kanë asgjë? Çfarë t'ju them juve? T'ju lavdëroj? Për këtë nuk ju lëvdoj.

23 Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve; se Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën

24 dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: ''Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim''.

25 Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: ''Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim''.

26 Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë.

27 Prandaj ai që ha nga kjo bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Zotit.

28 Por secili të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa,

29 sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit.

30 Për këtë arsye ka në mes jush shumë të dobët e të sëmurë, dhe shumë vdesin.

31 Sepse, po të shqyrtonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim.

32 Por kur gjykohemi, ndreqemi nga Zoti, që të mos dënohemi bashkë me botën.

33 Prandaj, o vëllezërit e mi, kur mblidheni për të ngrënë, pritni njeri tjetrin.

34 Dhe në qoftë se dikush ka uri, le të hajë në shtëpi, që të mos mblidheni për dënim. Dhe gjërat e tjera, kur të vij, do t'i rregulloj.