1 Por mbreti Salomon, veç bijës së Faraonit, dashuroi shumë gra të huaja, moabite, amonite, idumeje, sidonie dhe hiteje,
2 që u përkisnin popujve për të cilët Zoti u kishte thënë bijve të Izraelit: "Ju nuk do të lidhni martesë me ta, as ata me ju, sepse ata do ta kthejnë me siguri zemrën tuaj nga perënditë e tyre". Por Salamoni u bashkua me këto gra nga dashuria.
3 Ai pati si bashkëshorte shtatëqind princesha dhe treqind konkubina; dhe bashkëshortet e tij ia çoroditën zemrën.
4 Kështu, kur Salomoni u plak, bashkëshortet e tij ia kthyen zemrën në drejtim të perëndive të tjera; dhe zemra e tij nuk i përkiste plotësisht Zotit, Perëndisë të tij, ashtu si zemra e Davidit, atit të tij.
5 Salomoni ndoqi, pra, Ashtorethin, perëndeshën e Sidonëve, dhe Milkomin, të neveritshmin e Amonitëve.
6 Kështu Salomoni bëri atë që ishtë e keqe në sytë e Zotit dhe nuk e ndoqi tërësisht Zotin, ashtu si kishte bërë i ati David.
7 Atëherë Salomoni ndërtoi mbi malin përballë Jeruzalemit një vend të lartë për Kemoshin, të neveritshmin e Moabit, dhe për Molekun, të neveritshmin e bijve të Amonit.
8 Kështu bëri për të gjitha bashkëshortet e huaja të tij që digjnin temjan dhe u ofronin flijime perëndive të tyre.
9 Prandaj Zoti u zemërua me Solomonin, sepse zemra e tij qe larguar nga Zoti, Perëndia i Izraelit, që i ishte shfaqur dy herë,
10 dhe lidhur me këtë e kishte urdhëruar të mos shkonte pas perëndive të tjera; por ai nuk respektoi atë që Zoti e kishte urdhëruar.
11 Prandaj Zoti i tha Salomonit: "Me qenë se kë bërë këtë gjë dhe nuk ke respektuar besëlidhjen time dhe statutet e mia që të kisha urdhëruar, unë do të ta heq mbretërinë nga dora dhe do t'ja jap shërbëtorit tënd.
12 Megjithatë, për dashurinë që ndiej për Davidin, atin tënd, këtë nuk do ta bëj gjatë jetës sate, por do ta heq nga duart e birit tënd.
13 Por nuk do t'i marr tërë mbretërinë, do t'i lë birit tënd një fis, për dashurinë që ndiej për Davidin, shërbëtorin tim, dhe për hir të Jeruzalemit që kam zgjedhur".
14 Zoti ngriti kundër Salomonit një armik, Hadadin, Idumeon, që ishte një pasardhës i mbretit të Edomit.
15 Kur Davidi kishte vajtur të luftonte në Edom, dhe kur Joabi, komandant i ushtrisë, kishte dalë për të varrosur të vdekurit, mbasi kishte vrarë tërë meshkujt që ishin në Edom,
16 (Joabi, pra, me të gjithë Izraelin kishte mbetur atje gjashtë muaj deri sa i shfarosi gjithë meshkujt në Edom),
17 ndodhi që Hadadi arriti të ikë bashkë me disa Idumej në shërbim të atit të tij, për të vajtur në Egjipt. Atëherë Hadadi ishte djalosh.
18 Ata u nisën nga Madiani dhe shkuan në Paran; morën pastaj me vete njerëz nga Parani dhe arritën në Egjipt te Faraoni, mbret i Egjiptit, i cili i dha Hadadit një shtëpi, i siguroi ushqim dhe i dha madje edhe toka.
19 Hadadi ia fitoi zemrën Faraonit deri në atë pikë sa ai i dha për grua motrën e bashkëshortes së tij, motrën e mbretëreshës Tahpenes.
20 Motra e Tahpenes i lindi djalin Genubath, që Tahpenes rriti në shtëpinë e Faraonit; dhe Genubathi mbeti në shtëpinë e Faraonit midis bijve të Faraonit.
21 Kur Hadadi në Egjipt mësoi që Davidi ishte shtrirë pranë etërve të tij në një gjumë të rëndë dhe që Joabi, komandant i ushtrisë kishte vdekur, Hadadi i tha Faraonit: "Më ler të iki, dhe të shkoj në vendin tim".
22 Faraoni iu përgjigj: "Çfarë të mungon tek unë që kërkon të shkosh në vendin tënd?". Ai i tha: "Asgjë, megjithatë më lër të shkoj".
23 Perëndia ngriti kundër Salomonit një armik tjetër, Rezonin, birin e Eliadahut, që kishte ikur nga zotëria e tij, Hadadezeri, mbret i Tsobahut.
24 Ai mblodhi rreth tij disa njerëz dhe u bë kryetar i një bande grabitësish, kur Davidi kishte masakruar ata të Tsobahut. Pastaj ata shkuan në Damask, u vendosën atje dhe mbretëruan në Damask.
25 Rezoni qe armik i Izraelit gjatë gjithë kohës së Salomonit (përveç së keqes që bëri Hadadi). Kishte neveri për Izraelin dhe mbretëroi në Siri.
26 Edhe Jeroboami, shërbëtor i Salomonit, ngriti krye kundër mbretit. Ai ishte bir i Nebatit, Efrateut të Tseredës, dhe kishte nënë një të ve me emrin Tseruah.
27 Arsyeja pse ngriti krye kundër mbretit ishte kjo: Salomoni, duke ndërtuar Milon, kishte mbyllur të çarën e qytetit të Davidit, atit të tij.
28 Jeroboami ishte një njeri i fortë dhe trim; dhe Salomoni, duke parë se si punonte ky i ri, i besoi mbikqyrjen e të gjithë atyre që merreshin me punimet e shtëpisë së Jozefit.
29 Në atë kohë, ndërsa Jeroboami po dilte nga Jeruzalemi, profeti Ahijah nga Shilohu, që kishte veshur një mantel të ri, e takoi rrugës; dhe ishin ata të dy vetëm në fushë.
30 Ahijahu mori mantelin e ri që vishte dhe e grisi në dymbëdhjetë pjesë;
31 pastaj i tha Jeroboamit: "Merr për vete dhjetë pjesë, sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do ta heq mbretërinë nga duart e Salomonit dhe do të të jap ty dhjetë fise,
32 (por atij do t'i mbetet një fis për hir të Davidit, shërbëtorit tim, dhe për hir të Jeruzalemit, për qytetin që kam zgjedhur midis gjithë fiseve të Izraelit),
33 sepse ata më kanë braktisur dhe kanë rënë përmbys përpara Ashtorethit, perëndeshës së Sidonitëve, përpara Kemoshit, perëndisë së Moabit, dhe përpara Milkomit, perëndisë së bijve të Amonit, dhe nuk kanë ecur në rrugët e mia për të bërë atë që është e drejtë në sytë e mi dhe për të respektuar statutet dhe dekretet e mia, ashtu si bëri ati i tij, Davidi.
34 Megjithatë nuk do të heq nga duart e tij tërë mbretërinë, sepse e kam caktuar princ për të gjithë kohën e jetës së tij, për dashurinë që ndjej për Davidin, shërbëtorin tim, që unë kam zgjedhur dhe që ka respektuar urdhërimet dhe statutet e mia.
35 Por do të heq mbretërinë nga duart e të birit, dhe do të të jap ty dhjetë fise;
36 birit të tij do t'i lë një fis, me qëllim që Davidi, shërbëtori im, të ketë gjithmonë një llambë para meje në Jeruzalem, qytet që kam zgjedhur për t'i vënë emrin tim.
37 Kështu do të të marr ty dhe ti do të mbretërosh mbi gjithçka dëshiron zemra jote, dhe do të jesh mbret i Izraelit.
38 Në rast se dëgjon me kujdes të gjitha ato që po të urdhëroj dhe ecën në rrugët e mia, dhe bën atë që është e drejtë në sytë e mi, duke respektuar statutet dhe urdhërimet e mia, ashtu siç veproi Davidi, shërbëtori im, unë do të jem me ty dhe do të të ndërtoj një shtëpi të qëndrueshme, ashtu si ja ndërtova Davidit, dhe do të të jap Izraelin;
39 për këtë do të poshtëroj pasardhësit e Davidit, por jo për gjithnjë"".
40 Prandaj Salomoni kërkoi të shkaktonte vdekjen e Jeroboamit; por Jeroboami u ngrit dhe iku në Egjipt pranë Shishakut, mbretit të Egjiptit, dhe qëndroi në Egjipt deri sa vdiq Salomoni.
41 Pjesa tjetër e bëmave të Salomonit, gjithë ato që bëri dhe dituria e tij a nuk janë vallë të shkruara në librin e bëmave të Salomonit?
42 Salomoni mbretëroi në Jeruzalem mbi të gjithë Izraelin dyzet vjet.
43 Pastaj Salomonin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros në qytetin e Davidit, atit të tij; në vend të tij mbretëroi i biri, Roboami.