1 Atëherë Salomoni mblodhi në prani të tij në Jeruzalem pleqtë e Izraelit dhe tërë krerët e fiseve, prijësit e familjeve të Izraelit, për të çuar arkën e besëlidhjes të Zotit në qytetin e Davidit, domethënë në Sion.
2 Tërë burrat e Izraelit u mblodhën rreth e qark mbretit Salomon për festën në muajin e Ethanimit, që është muaji i shtatë.
3 Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën dhe priftërinjtë morën arkën;
4 dhe çuan lart arkën e Zotit, çadrën e mbledhjeve dhe tërë orenditë e shenjta që ishin në çadër. Priftërinjtë dhe Levitët i mbartën këto gjëra.
5 Mbreti Salomon dhe tërë asambleja e Izraelit, e mbledhur rreth tij, u mblodhën bashkë me të përpara arkës dhe flijuan një numër aq të madh delesh dhe qesh, që nuk mund të numëroheshin as të llogariteshin.
6 Pastaj priftërinjtë e çuan arkën e besëlidhjes të Zotit në vendin e saj, në shenjtëroren e tempullit, në vendin shumë të shenjtë, nën krahët e kerubinëve.
7 Në fakt kerubinët i shtrinin krahët e tyre mbi vendin e arkës dhe mbulonin nga lart arkën dhe shufrat e saj.
8 Shufrat ishin aq të gjata sa që skajet e tyre dukeshin nga vendi i shenjtë, përpara shenjtërores, por nuk dukeshin nga jashtë. Ato kanë mbetur atje deri në ditën e sotme.
9 Në arkë nuk kishte asgjë tjetër veç dy pllakave prej guri që Moisiu kishte depozituar në malin Horeb, kur Zoti bëri një besëlidhje me bijtë e Izraelit, pas daljes së tyre nga vendi i Egjiptit.
10 Por ndodhi që, ndërsa priftërinjtë po dilnin nga vendi i shenjtë, reja e mbushi shtëpinë e Zotit,
11 dhe priftërinjtë nuk mundën të qëndrojnë për të shërbyer për shkak të resë, sepse ladvia e Zotit mbushte shtëpinë e tij.