1 Sauli ishte tridhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë; dhe mbasi mbretëroi dy vjet mbi Izraelin,
2 ai zgjodhi tre mijë ushtarë të Izraelit: dy mijë rrinin me të në Mikmash dhe në krahinën malore të Betelit; dhe një mijë me Jonathanin në Gibeah të Beniaminit; e ktheu prapa pjesën tjetër të popullit, secili shkoi në çadrën e vet.
3 Jonathani e mundi garnizonin e Filistejve që ndodhej në Geba, dhe Filistejtë e mësuan këtë ngjarje; Atëherë Sauli urdhëroi që t'u binin borive në tërë vendin, duke thënë: "Le ta dijnë Hebrenjtë!".
4 Dhe në tëtë Izraelin filluan të thonë: "Sauli mundi garnizonin e Filistejve dhe Izraeli tani urrehet nga Filistejtë". Kështu populli u thirr në Gilgal për të shkuar pas Saulit.
5 Edhe Filistejtë u mblodhën për të luftuar kundër Izraelit, me tridhjetë mijë qerre, gjashtë mijë kalorës dhe shumë njerëz, si rëra në bregun e detit. Ata u nisën pra, dhe u vendosën në Mikmash, në lindje të Beth-Avenit.
6 Kur Izraelitët e panë se ishin në rrezik (pse populli u gjend ngushtë), u fshehën në shpella, në gëmusha, ndër shkëmbinj, në guva dhe në hauze.
7 Disa Hebrenj kaluan Jordanin për të vajtur në vendin e Gadit dhe të Galaadit. Sauli ishte akoma në Gilgal dhe tërë populli shkonte pas tij duke u dridhur.
8 Ai priti shtatë ditë simbas kohës së caktuar nga Samueli; por Samueli nuk po vinte në Gilgal dhe populli kishte filluar të shpërndahej larg tij.
9 Atëherë Sauli tha: "Më sillni olokaustin dhe flijimet e falenderimit". Pastaj ofroi olokaustin.
10 Sapo kishte mbaruar së ofruari olokaustin, kur erdhi Samueli; dhe Sauli i doli përpara për ta përshëndetur.
11 Por Samueli i tha: "Çfarë bëre kështu?". Sauli u përgjegj: "Kur pashë që populli po shpërndahej larg meje, që ti nuk kishe arritur ditën e caktuar dhe që Filistejtë po mblidheshin në Mikmash, thashë me vete:
12 "Tani Filistejtë do të më sulen në Gilgal dhe unë akoma nuk i jam lutur Zotit". Prandaj e mblodha veten dhe ofrova olokastin".
13 Atëherë Samueli i tha Saulit: "Ti ke vepruar pa mend; nuk ke respektuar urdhërimin që Zoti, Perëndia yt, të kishte dhënë. Në fakt Zoti do të vendoste për gjithnjë mbretërinë tënde mbi Izraelin.
14 Tani përkundrazi mbretëria jote nuk ka për të vazhduar, Zoti ka kërkuar një njeri simbas zemrës së tij, dhe Zoti e ka caktuar princ të populli të tij, sepse ti nuk ke respektuar atë që Zoti të pati urdhëruar".
15 Pastaj Samueli u ngrit dhe u ngjit nga Gilgali në Gibeah të Beniaminit, dhe Sauli kaloi në revistë popullin që gjendej me të; ishin rreth gjashtë qind veta.
16 Sauli, Jonathani, bir i tij, dhe njerëzit që mbetën me ta qëndruan në Gibeah të Beniaminit, ndërsa Filistejtë ishin vendosur në Mikmash.
17 Pastaj nga kampi i Filistejve dolën disa cuba, të ndarë në tri grupe: njeri grup mori udhën në drejtim të Ofrahut, drejt vendit të Shualit;
18 një grup tjetër u fut në rrugën e Beth-Horonit; grupi i tretë mori rrugën e kufirit që sundon luginën e Tseboimit, në drejtim të shkretëtirës.
19 Në tërë vendin e Izraelit nuk gjeje as edhe një kovaç, sepse Filistejtë thonin: "Hebrenjtë të mos prodhojnë shpata ose shtiza".
20 Kështu tërë Izraelitët shkonin te Filistejtë për të mprehur kush plorin, kush sëpatën, kush belin.
21 Çmimi për mprehje ishte një pim për belin, për sëpatën, për sfurkun, për rregullimin e hostenëve.
22 Kështu ditën e betejës nuk shihje as shpatë, as shtizë në duart e tërë njeëzve që ishin me Saulin dhe me Jonathanin, ato i kishin vetëm Sauli dhe Jonathani, bir i tij.
23 Garnizoni i Filistejve doli pastaj dhe u drejtua nga qafa e Mikmashit.