45 Atëherë Davidi iu përgjegj Filisteut: "Ti po më vjen me shpatë, me shtizë dhe me ushtë; kurse unë po të dal në emër të Zotit të ushtërive, Perëndisë të ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer.

46 Pikërisht sot Zoti do të të dorëzojë në duart e mia; dhe unë do të të rrëzoj, do të pres kokën tënde dhe do t'u jap pikërisht sot kufomat e ushtrisë së Filistejve shpendëve të qiellit dhe bishave të tokës, me qëllim që gjithë dheu të mësojë se ka një Perëndi në Izrael.

47 Atëherë gjithë kjo turmë do të mësojë që Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës; sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti, dhe ai do t'ju dorëzojë në duart tona".