1 Kur mbaroi së foluri me Saulin, shpirti i Jonathanit mbeti i lidhur me shpirtin e Davidit, dhe Jonathani e deshi si shpirtin e vet.
2 Po atë ditë Sauli e mori me vete dhe nuk e lejoi të kthehet në shtëpinë e atit të tij.
3 Kështu Jonathani lidhi një besölidhje me Davidin, sepse e donte si shpirtin e vet.
4 Pastaj Jonathani hoqi mantelin që kishte veshur dhe ia dha Davidit, dhe i shtoi gjithashtu rrobat, shpatën, harkun dhe brezin e tij.
5 Davidi shkonte kudo që Sauli e dërgonte dhe dilte me sukses. Kështu Sauli e vuri në krye të luftëtarëve dhe shihej me sy të mirë nga gjithë populli, madje edhe nga shërbëtorët e Saulit.
6 Gjatë kthimit të tyre, kur Davidi po kthehej nga vrasja e Filisteut, gratë e të gjitha qyteteve të Izraelit i dolën para mbretit Saul, duke kënduar dhe hedhur valle me dajre, me thirrje gëzimi dhe me vegla muzikore.
7 Kështu gratë u përgjigjeshin njera tjetrës duke kënduar, dhe thoshnin: "Sauli vrau mijëshn e tij dhe Davidi dhjetëmijëshn e tij.
8 Kjo gjë e pezmatoi shumë Saulin dhe këto fjalë nuk i pëlqyen; ai tha: "Davidit i njohin dhjetë mijë dhe mua vetëm një mijë. Tani nuk i mungon veçse mbretëria!".
9 Kështu nga ajo ditë Sauli e shikoi me zili Davidin.
10 Të nesërmen një frym i keq nga ana e Perëndisë e zotëroi Saulin që sillej si një i marrë në mes të shtëpisë, kurse Davidi i binte harpës me dorën e tij si ditët e tjera dhe Sauli mbante në dorë shtizën.
11 Kështu Sauli e vërtiti shtizën, duke thënë: "Do ta gozhdoj Davidin në mur!". Por Davidi iu shmang goditjes dy herë.
12 Sauli kishte frikë nga Davidi, sepse Zoti ishte me të dhe e kishte braktisur Saulin.
13 Prandaj Sauli e largoi nga vetja dhe e bëri komandant të një mijë njerëzve; dhe ai shkonte e vinte në krye të popullit.
14 Davidit i shkonin mbarë të gjitha veprat, dhe Zoti ishte me të.
15 Sauli, duke parë që atij i shkonte shumë mbarë çdo gjë, kishte frikë prej tij;
16 por tërë Izraeli dhe Juda e donin Davidin, sepse shkonte e vinte në krye të tyre.
17 Pastaj Sauli i tha Davidit: "Ja Merabi, bija ime më e madhe; do të ta jap për grua; u bëfsh për mua një bir trim dhe març pjesë në betejat e Zotit". Sauli mendonte kështu: "Të mos jetë dora ime ta godasë, por dora e Filisejve".
18 Por Davidi iu përgjegj Saulit: "Kush jam unë dhe çfarë është jeta ime dhe familja e atit tim në Izrael, që unë të bëhem dhëndri i mbretit?".
19 Kur erdhi çasti për t'ia dhënë Davidit Merabin, bijën e Saulit, atë ia dhanë për grua Meholathitit Adriel.
20 Por Mikal, bija e Saulit, e dashuronte Davidin; këtë ia njoftuan Saulit dhe kjo gjë i pëlqeu.
21 Kështu Sauli mendoi: "Do t'ia jap, në mënyrë që ky të jetë një lak për të dhe ai të bjerë në duart e Filistejve".
22 Pas kësaj Sauli i urdhëroi shërbëtorët e tij: "Bisedoni fshehurazi me Davidin dhe i thoni: "Ja, mbreti ështëi kënaqur nga ti dhe të gjithë shërbëtorët e tij të duan, prandaj bëhu dhëndri i mbretit".
23 Shërbëtorët e Saulit ia çuan këto fjalë Davidit. Por Davidi u përgjegj: "Ju duket gjë e vogël të bëhesh dhëndri i mbretit?. Unë jam një njeri i varfër dhe nga shtresë e ulët".
24 Shërbëtorët i njoftuan Saulit: "Davidi u përgjegj në këtë mënyrë".
25 Atëherë Sauli tha: "Do t'i thoni kështu Davidit: "Mbreti nuk dëshëron asnjë prikë, por njëqind lafsha të Filisejve për t'u hakmarrë me armiqtë e mbretit"". Sauli kurdiste komplote për të shkaktuar vdekjen e Davidit me anë të Filistejve.
26 Kur shërbëtorët i njoftuan Davidit këto fjalë, Davidit iu duk gjë e mirë të bëhej dhëndër i mbretit. Ditët e caktuara nuk kishin kaluar akoma,
27 kur Davidi u ngrit dhe iku me njerëzit e tij, dhe vrau dyqind veta nga Filistejtë. Pastaj Davidi solli lafshat e tyre dhe dorëzoi mbretit këtë sasi të saktë për t'u bërë dhëndër i tij. Atëherë Sauli i dha të bijën Mikal për grua.
28 Kështu Sauli e pa dhe e kuptoi që Zoti ishte me Davidin; dhe Mikal, bija e Saulit, e donte.
29 Sauli pati edhe më tepër frikë nga Davidi dhe mbeti armiku i tij gjatë gjithë ditëve që jetoi.
30 Pastaj princat e Filistejve dolën për të luftuar por, sa herë që dilnin, Davidi ia dilte më mirë se të gjithë shërbëtorët e Saulit; kështu emri i tij u bë shumë i famshëm.