2 Pastaj Filistejtë u renditën për betejë kundër Izraelit; filloi një betejë e madhe, por Izraeli u mund nga Filistejtë, të cilët vranë në fushën e betejës rreth katër mijë veta.
3 Kur populli u kthye në kamp, pleqtë e Izraelit thanë: "Pse Zoti na mundi sot përpara Filistejve? Të shkojmë të marrim në Shiloh arkën e besëlidhjes së Zotit, në mënyrë që të ndodhet në mes nesh dhe të na shpëtojë nga duart e armiqve tanë!".
4 Kështu populli dërgoi në Shiloh njerëz që të merrnin që andej arkën e besëlidhjes së Zotit të ushtërive, që ulët midis kerubinëve; dhe dy bijtër e Elit, Hofni dhe Finehasi, ishin aty me arkën e besëlidhjes së Perëndisë.
5 Kur arka e besëlidhjes së Zotit hyri në kamp, i gjithë Izraeli shpërtheu në një britmë gëzimi aq të fuqishme sa vetë toka e drodh.
6 Filistejtë, duke dëgjuar buçimën e asaj britme, thanë: "Çfarë kuptimi ka buçima e kësaj britme të madhe në kampin e Hebrenjve?". Pastaj mësuan që arka e Zotit kishte arritur në kamp.
7 Kështu Filistejtë u trembën, sepse thonin: "Perëndia erdhi në kamp". Dhe thirrën: "Mjerë ne! Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë.
8 Mjerë ne! Kush do të na shpëtojë nga duart e këtyre perëndive të fuqishme? Këto janë perënditë që i goditën Egjiptasit me lloj lloj plagësh në shkretëtirë.
9 Qëndroni të fortë dhe silluni si burra, o Filistej, që të mos bëheni skllevër të Hebrenjve, ashtu si ata qenë skllevërit tuaj. Silluni si burra dhe luftoni!".
10 Kështu Filistejtë luftuan dhe Izraeli u mund; dhe gjithkush vrapoi te çadra e vet. Masakra qe me të vërtetë e madhe; Izraeli humbi tridhjetë mijë këmbësorë.
11 Edhe arka e Perëndisë u morr dhe dy djemtë e Elit, Hofni dhe Finehasi, vdiqën.