1 Mbas kësaj Absalomi gjeti një karrocë, disa kuaj dhe pesëdhjetë njerëz që të vraponin para tij.
2 Absalomi ngrihej herët në mëngjes dhe rrinte anës rrugës që të çonte te porta e qytetit. Kështu, në qoftë se dikush kishte ndonjë gjyq dhe shkonte te mbreti për të siguruar drejtësi, Absalomi e thërriste dhe i thoshte: "Nga cili qytet je?". Tjetri i përgjigjej: "Shërbëtori yt është nga filan fis i Izraelit".
3 Atëherë Absalomi i thoshte: "Shif, argumentat e tua janë të mira dhe të drejta, por nuk ka njeri nga ana mbretit që të të dëgjojë".
4 Pastaj Absalomi shtonte: "Sikur të më bënin mua gjyqtar të vendit, kushdo që të kishte një proçes apo një çështje do të vinte tek unë dhe unë do t'i siguroja drejtësi".
5 Kur dikush afrohej për të rënë përmbys përpara tij, ai shtrinte dorën, e merrte dhe e puthte.
6 Absalomi sillej kështu me të gjithë ata të Izraelit që vinin te mbreti për të kërkuar drejtësi; në këtë mënyrë Absalomi fitoi zemrën e njerëzve të Izraelit.
7 Ndodhi që, pas katër vjetve, Absalomi i tha mbretit: "Të lutem, lermë të shkoj në Hebron për të përmbushur një kusht që kam lidhur me Zotin.
8 Sepse gjatë qëndrimit të tij në Geshur të Sirisë, shërbëtori yt ka lidhur një kusht duke thënë: "Në rast se Zoti më kthen në Jeruzalem, unë do t'i shërbejë Zotit!".
9 Mbreti i tha: "Shko në paqe!". Atëherë ai u ngrit dhe vajti në Hebron.
10 Pastaj Absalomi dërgoi emisarë ndër të gjitha fiset e Izraelit për të thënë: "Kur të dëgjoni tingullin e borisë, do të thoni: "Absalomi u shpall mbret në Hebron".
11 Me Absalomin u nisën nga Jeruzalemi dyqind njerëz si të ftuar; ata shkuan pa të keq, pa ditur gjë.
12 Absalomi, ndërsa ofronte flijimet, dërgoi të thërrasë nga qyteti i tij Gjiloh Ahithofelin, Gilonitin, këshilltarin e Davidit. Kështu komloti bëhej më i fortë, sepse populli shtohej rreth Absalomit.
13 Pastaj arriti te Davidi një lajmëtar për të thënë: "Zemra e njerëzve të Izraelit ndjek Absalomin".
14 Atëherë Davidi u tha gjithë shërbëtorëve të tij që ishin me të në Jeruzalem: "Çohuni dhe t'ia mbathim; përndryshe asnjeri prej nesh nuk ka për të shpëtuar nga duart e Absalomit. Nxitoni të ikni, që të mos na kapë në befasi dhe të bjerë mbi ne shkatërrimi, dhe të mos godasë qytetin me majën e shpatës".
15 Shërbëtorët e mbretit i thanë: "Ja, shërbëtorët e tu janë gati të bëjnë gjithçka që i pëlqen mbretit, zotërisë tonë".
16 Kështu mbreti u nis, i ndjekur nga tërë shtëpia e tij, por la dhjetë konkubina për të ruajtur pallatin.
17 Mbreti u nis, i ndjekur nga tërë populli, që u ndal te shtëpia e fundit.
18 Tërë shërbëtorët e mbretit kalonin përpara dhe pranë tij; tërë Kerethejtë, tërë Pelethejtë dhe tërë Gitejtë, gjithsej gjashtëqind veta që e kishin ndjekur nga Gathi, ecnin para mbretit.
19 Atëherë mbreti i tha Itait nga Gathi: "Pse vjen edhe ti me ne? Kthehu dhe rri me mbretin, sepse ti je i huaj dhe për më tepër i mërguar nga atdheu yt.
20 Ti ke arritur vetëm dje dhe sot do të të duhej të endesh sa andej e këtej, kur unë vetë nuk e di se ku po shkoj? Kthehu prapa dhe kthe me vëllezërit e tu në mirësi dhe në besnikëri".
21 Por Itai iu përgjigj mbretit duke thënë: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që jeton mbreti, zotëria im, në çdo vend që të jetë mbreti, zotëria im, për të vdekur ose për të jetuar, aty do të jetë edhe shërbëtori yt".
22 Atëherë Davidi i tha Itait: "Shko përpara dhe vazhdo". Kështu Itai, Giteu, shkoi tutje me gjithë njerëzit e tij dhe tërë fëmijët që ishin me të.
23 Tërë banorët e vendit qanin me zë të lartë, ndërsa tërë populli kalonte. Mbreti kapërceu përruan e Kidronit dhe tërë populli kaloi në drejtim të shkretëtirës.
24 Dhe ja po vinte edhe Tsadoku me tërë Levitët, të cilët mbanin arkën e besëlidhjes së Perëndisë Ata e vendosën arkën e Perëndisë dhe Abiathari ofroi flijime, deri sa tërë populli mbaroi daljen nga qyteti.
25 Pastaj mbreti i tha Tsadokut: "Çoje në qytet arkën e Perëndisë! Po të kem gjetur hirin e Zotit, ai do të më kthejë dhe do të bëjë që ta shoh përsëri qytetin bashkë me banesën e tij.
26 Por në rast se thotë: "Nuk të pëlqej", ja ku jam, le të më bëjë atë që i pëlqen"..
27 Mbreti i tha akoma priftit Tsadok: "A nuk je ti shikues? Kthehu në paqe në qytet me dy bijtë tuaj: Ahimaatsin, birin tënd, dhe me Jonathain, birin e Abiatharit.
28 Shikoni, unë do të pres në fushat e shkretëtirës, deri sa të më vijë nga ana juaj ndonjë fjalë për të më njoftuar".
29 Kështu Tsadoku dhe Abiathari e çuan përsëri në Jeruzalem arkën e Perëndisë dhe qëndruan aty.
30 Davidi mori të përpjetën e malit të Ullinjve dhe, duke u ngjitur, qante; ecte kokëmbuluar dhe këmbëzbathur. Dhe tërë njerëzit që ishin me të ishin kokëmbuluar dhe qanin duke u ngjitur.
31 Dikush erdhi t'i thotë Davidit: "Ahithofeli figuron me Absalomin në mes të komplotistëve". Davidi tha: "O Zot, të lutem, bëji të kota këshillat e Ahithofelit!".
32 Kur Davidi arriti në majë të malit; ku adhuroi Perëndinë, ja që doli përpara Hushai, Arkiti, me rroba të grisura dhe kokën të mbuluar me dhe.
33 Davidi i tha: "Po të jetë se vazhdon rrugën me mua, do të më bëhesh barrë;
34 por në rast se kthehesh në qytet dhe i thua Absalomit: "Unë do të jem shërbëtori yt, o mbret; ashtu si kam qenë shërbëtor i atit tënd në të kaluarën, kështu do të jem shërbëtori yt"; ti do ta bësh të kotë në favorin tim këshillën e Ahithofelit.
35 Nuk do të kesh atje pranë teje priftërinjtë Tsadok dhe Abiathar? Të gjitha ato që do të dëgjosh që të thuhen nga ana e shtëpisë së mbretit, do t'ua bësh të njohura priftërinjve Tsadok dhe Abiathar.
36 Ja, ata kanë atje me vete dy bijtë e tyre, Ahimats, birin e Tsadokut, dhe Jonathanin, birin e Abiatharit; me anë të tyre do të më njoftoni të gjitha ato që do të dëgjoni".
37 Kështu Hushai, miku i Davidit, u kthye në qytet dhe Absalomi hyri në Jeruzalem.