1 Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më.
2 Dhe unë, Gjoni, pashë qytetin e shenjtë, Jeruzalemin e ri, që zbriste nga qielli, nga Perëndia, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e vet.
3 Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: ''Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi e tyre.
4 Dhe Perëndia do të thaijë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan''.
5 Dhe ai që rrinte mbi fron tha: ''Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja''. Dhe më tha: ''Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike''.
6 Edhe më tha: ''U bë! Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi! Atij që ka etje unë do t'i jap si dhuratë nga burimi i ujit të jetës.
7 Kush fiton do t'i trashëgojë të gjitha gjërat; dhe do të jem për të Perëndi dhe ai do të jetë për mua bir.
8 Kurse për frikacakët dhe të pabesët, dhe të neveritshmit dhe vrasësit, dhe kurvëruesit, dhe magjistarët, dhe idhujtarët, dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë''.
9 Pastaj erdhi drejt meje një nga të shtatë engjëjt që kishin të shtatë kupat plot me shtatë plagët e fundit, dhe foli me mua, duke thënë: ''Eja, do të të tregoj nusen, gruan e Qengjit''.
10 Dhe më çoi në Frymë mbi një mal të madh dhe të lartë, dhe më tregoi qytetin e madh, Jeruzalemin e shenjtë, që zbriste nga qielli, nga Perëndia,
11 duke pasur lavdinë e Perëndisë. Dhe shkëlqimi i saj i ngjante me një gur shumë të çmuar, si gur diaspri kristalor.
12 Ai kishte një mur të madh dhe të lartë me dymbëdhjetë porta, dhe te portat dymbëdhjetë engjëj, dhe emra të shkruar mbi to, të cilat janë emrat e të dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit.
13 Nga lindja ishin tri porta, nga veriu tri porta, nga jugu tri porta dhe nga perëndimi tri porta.
14 Dhe muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele dhe mbi to ishin emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit.
15 Dhe ai që fliste me mua kishte një kallam ari, për të matur qytetin, dyert e tij dhe murin e tij.
16 Dhe qyteti kishte formë katërkëndësh, dhe gjatësia e tij është sa gjerësia; ai e mati qytetin me kallamin deri në dymbëdhjetë mijë stade; gjatësia, gjërësia dhe lartësia e tij janë të barabartë.
17 Mati edhe murin, që ishte njëqind e dyzet e katër kubitë, me matje njeriu, domethënë engjëllit.
18 Muri ishte bërë ishte prej diaspri; dhe qyteti ishte prej ari të kulluar, i ngjashëm me kristal transparent.
19 Themelet e murit të qytetit ishin stolisur me gjithfarë gurësh të çmuar; themeli i parë ishte prej diaspri, i dyti prej safiri, i treti prej kalcedoni, i katërti prej smeraldi,
20 i pesti prej sardoniku, i gjashti prej sardi, i shtati prej krizoliti, i teti prej berili, i nënti prej topazi, i dhjeti prej krizopazi, i njëmbëdhjeti prej hiacinti, i dymbëdhjeti prej ametisti.
21 Dhe të dymbëdhjetë portat ishin dymbëdhjetë margaritarë, secila portë ishte bërë prej një margaritari të vetëm, edhe sheshi i qytetit ishte prej ari të kulluar, si kristal i transparent.
22 Dhe nuk pashë asnjë tempull në të; sepse Zoti Perëndi i plotfuqishëm dhe Qengji janë tempulli i tij.
23 Dhe qyteti nuk ka nevojë për diell, as për hënë që të ndriçojnë në të, sepse lavdia e Perëndisë e ndriçon atë, dhe llamba e tij është Qengji.
24 Dhe kombet e të shpëtuarve do të ecin në dritën e tij; dhe mbretërit e dheut do të sjellin lavdinë dhe nderin e tyre në të.
25 Dhe portat e tij nuk do të mbyllen asnjëherë gjatë ditës, sepse nuk do të ketë asnjëherë natë.
26 Edhe në të do të sjellin lavdinë dhe nderin e kombeve.
27 Edhe nuk do të hyjë asgjë e papastër dhe askush që kryen neveri e gënjeshtër, por vetëm ata që janë të shkruar në librin e jetës të Qengjit.