1 Dhe unë i pashë të shtatë engjëjt që qëndrojnë përpara Perëndisë, dhe atyre u dha shtatë bori.
2 Pastaj erdhi një engjëll tjetër që kishte një temianicë ari dhe ndaloi pranë altarit; dhe iu dha shumë erë e këndshme që t'ua shtonte lutjeve të të gjithë shenjtorëve mbi altarin prej ari që ishte përpara fronit.
3 Dhe tymi i erëve të këndshme, të ofruara me lutjet e shenjtorëve, u ngrit përpara Perëndisë nga dora e engjëllit.
4 Pastaj enjëlli mori temianicën, e mbushi nga zjarri i altarit dhe e hodhi mbi dhe; dhe u bënë zëra, bubullima, vetima dhe një tërmet.
5 Dhe të shtatë engjëjt që kishin të shtatë boritë u bënë gati t'i bien borisë.
6 Engjëlli i parë i ra borisë, dhe u bë breshër e zjarr, i përzier me gjak, dhe u hodhën mbi dhe; dhe e treta e pemëve u dogj tërësisht, dhe çdo bar i njomë u dogj tërësisht.
7 Dhe engjëlli i dytë i ra borisë dhe diçka si një mal i madh që digjet nga zjarri u hodh në det, dhe e treta e detit u bë gjak;
8 dhe e treta e krijesave që rrojnë në det ngordhi, dhe e treta e anijeve u shkatërruan.
9 Dhe i treti engjëll i ra borisë, dhe ra nga qielli një yll i madh që digjej si pishtar, dhe ra mbi pjesën e tretë të lumenjve dhe mbi burimet e ujërave.
10 Dhe emri i yllit është "pelin" dhe e treta e ujërave u bë pelin; dhe shumë njerëz vdiqën për shkak të këtyre ujërave, sepse u bënë të hidhura.
11 Dhe i katërti engjëll i ra borisë, dhe u godit pjesa e tret e diellit dhe pjesa e tret e hënës dhe pjesa e tret e yjeve, që të errësohej e treta e tyre dhe e treta e ditës e humbi shkëlqimin e saj, kështu edhe nata.
12 Dhe pashë, dhe dëgjova një engjëll që fluturonte në mes të qiellit dhe thoshte me zë të madh: ''Mjerë, mjerë, mjerë atyre që banojnë mbi dhe, për shkak të të rënave të tjera të borive që të tre engjëjtë do t'i bien''.
13 Dhe i pesti engjëll i ra borisë, dhe unë pashë një yll që ra nga qielli përmbi tokë; dhe atij iu dha çelësi i pusit të humnerës.