1 Mbas këtyre ngjarjeve, kur zemërimi i mbretit Asuero u qetësua, atij iu kujtua Vashti, atë që kishte bërë ajo dhe çfarë kishte vendosur lidhur me të.
2 Atëherë shërbëtorët e mbretit që ishin në shërbim të tij i thanë: "Të kërkohen për mbretin vajza të virgjëra dhe të hijshme;
3 mbreti le të caktojë në tërë krahinat e mbretërisë së tij komisarë, të cilët të mbledhin tërë vajzat e virgjëra të hijshme në qytetin e Suzës, në shtëpinë e grave nën mbikqyrjen e Hegait, eunukut të mbretit dhe rojtar i grave, që do t'u japë atyre melhemet për t'u pastruar.
4 Vajza që do t'i pëlqejë mbretit të bëhet mbretëreshë në vend të Vashtit". Ky propozim u pëlqye nga mbreti dhe kështu u veprua.
5 Në qytetin e Suzës ishte një jude i quajtur Mardoke, bir i Jairit, bir i Shimeit, bir i Kishit, një Beniaminit,
6 që e kishin internuar nga Jeruzalemi bashkë me mërgimtarët e sjellë në robëri me Jekoniahun, mbretin e Judës, nga Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë.
7 Ai e kishte rritur Hadasahun, domethënë Esterin, bijën e ungjit të tij, sepse ajo nuk kishte as baba as nënë. Vajza ishte e hijshme dhe kishte trup të bukur; pas vdekjes së atit dhe të nënes së saj, Mardokeu e mori si bijën e tij.
8 Kur urdhëri i mbretit dhe dekreti i tij u përhapën, dhe shumë vajza u mblodhën në qytetin e Suzës nën mbikqyrjen e Hegait, edhe Esterin e çuan në pallatin e mbretit nën mbikëqyrjen e Hegait, rojtarit të grave.
9 Vajza i pëlqeu dhe fitoi simpatinë e tij; kështu ai u shpejtua t'i japë melhemet për pastrimin dhe ushqimin e saj; i dha gjithashtu shtatë vajza të reja të zgjedhura në pallatin e mbretit dhe e zhvendosi bashkë me to në apartamentin më të mirë të shtëpisë së grave.
10 Esteri nuk kishte treguar asgjë as për popullin e saj as për vendin e prejardhjes së saj, sepse Mardokeu e kishte urdhëruar të mos tregonte.
11 Çdo ditë Mardokeu shëtiste përpara oborrit të shtëpisë së grave për të marrë vesh si ishte Esteri dhe ç'po bëhej me të.
12 Kur i vinte radha çdo vajzë të hynte te mbreti Asuero, mbasi kishte bërë dymbëdhjetë muaj përgatitjesh, sipas rregulloreve të grave, sepse kështu plotësoheshin ditët e pastrimit të tyre; gjashtë muaj për t'u lyer me vaj të mirrës dhe gjashtë muaj me aroma dhe melheme të grave për t'u pastruar,
13 vajza shkonte te mbreti; i lejohej të merrte me vete nga shtëpia e grave në pallatin e mbretit tërë ato që donte.
14 Atje ajo shkonte në mbrëmje dhe të nesërmen në mëngjes kalonte në shtëpinë e dytë të grave, nën mbikëqyrjen e Shaashgazit, eunukut të mbretit dhe rojtar i konkubinave. Ajo nuk kthehej më te mbreti, veçse po ta kërkonte mbreti dhe ta thërrisnin me emër.
15 Kur i erdhi radha për të shkuar te mbreti Esterit, bijës së Abihailit, ungji i Mardokeut, që e kishte marrë me vete si bijën e tij, ajo nuk kërkoi asgjë veç asaj që i tregoi Hegai, eunuku i mbretit, rojtari i grave. Dhe Esteri fitoi simpatinë e të gjithë atyre që e shihnin.
16 Esterin e çuan te mbreti Asuero në pallatin e tij mbretëror muajin e dhjetë, domethënë në muajin e Tebethit, në vitin e shtatë të mbretërimit të tij.
17 Mbreti e dashuroi Esterin më tepër se gjithë gratë e tjera, dhe ajo gjeti hir dhe mirëdashje në sytë e tij më tepër se tërë vajzat e tjera. Kështu ai i vuri mbi kokë kurorën mbretërore dhe e bëri mbretëreshë në vend të Vashtit.
18 Pastaj mbreti shtroi një banket të madh për tërë princat dhe shërbëtorët e tij, banketin e Esterit; përveç kësaj ai u dha një ditë pushimi krahinave dhe bëri dhurata me bujari mbretërore.
19 Kur vajzat u mblodhën herën e dytë, Mardokeu rrinte ulur te porta e mbretit.
20 Esteri, sipas urdhrit që Mardokeu i kishte dhënë, nuk kishte treguar asgjë as për vendin e prejardhjes së saj, as për popullin e saj. Në të vërtetë Esteri zbatonte urdhërat e Mardokeut, ashtu si në kohën kur ishte nën kujdestarinë e tij.
21 Në ato ditë, ndërsa Mardokeu rrinte ulur te porta e mbretit, Bigtani dhe Tereshi, dy eunukë të mbretit dhe rojtarë të pragut, u zemëruan dhe kërkuan të shtrinin dorën kundër mbretit Asuero.
22 I njoftuar për këtë gjë, Mardokeu lajmëroi mbretëreshën Ester, dhe Esteri informoi mbretin në emër të Mardokeut.
23 U bënë hetime dhe u provua se gjëja ishte e vërtetë, të dy eunukët u varën në trekëmbësh; pastaj kjo ngjarje u regjistrua në librin e Kronikave, në prani të mbretit.