1 Pastaj ai më çoi drejt portës së jashtme të shenjtërores që shikonte nga lindja, por ajo ishte e mbyllur.
2 Zoti më tha: "Kjo portë do të mbetet e mbyllur, nuk do të hapet dhe askush nuk do të hyjë nëpër të, sepse nëpër të ka hyrë Zoti, Perëndia i Izraelit; prandaj do të mbetet e mbyllur.
3 Por princi duke qenë se është princ, do të mund të ulet për të ngrënë bukën përpara Zotit; ai do të hyjë nga hajati i derës dhe do të dalë po nga ajo rrugë".
4 Pastaj, nëpër portën në veri, më çoi përpara tempullit. Shikova, dhe ja, lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e Zotit; dhe unë rashë me fytyrë.
5 Zoti më tha: "Bir njeriu, ki kujdes, shiko me sytë e tu dhe dëgjo me veshët e tu të gjitha ato që do të të them për statutet e shtëpisë të Zotit dhe tërë ligjeve të tij; ki kujdes në hyrjen e tempullit dhe në të gjitha daljet e shenjtërores.
6 Do t'u thuash këtyre rebelëve, shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: O shtëpi e Izraelit, mjaft më me veprimet tuaja të neveritshme!
7 Keni bërë që të futen të huaj, të parrethprerë nga zemra dhe nga mishi, me qëllim që të rrinin në shenjtëroren time, për ta përdhosur tempullin tim, ndërsa ofronit bukën time, dhjamin dhe gjakun, duke shkelur kështu besëlidhjen time me ju, me të gjitha veprimet tuaja të neveritshme.
8 Ju nuk jeni kujdesur për gjërat e mia të shenjta, por keni vënë të huaj në vendin tuaj që të kujdesen për shenjtëroren time.
9 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Asnjë i huaj, i parrethprerë nga zemra dhe parrethprerë nga mishi, nuk ka për të hyrë në shenjtëroren time, as edhe ndonjë i huaj që ndodhet në mes të bijve të Izraelit.
10 Por Levitët, që u larguan nga unë kur Izraeli doli nga rruga e drejtë, dhe u shmangën nga unë për të shkuar pas idhujve të tyre, do të ndëshkohen për paudhësinë e tyre.
11 Megjithatë ata do të shërbejnë si roje të portave të tempullit dhe do të kryejnë shërbime në tempull; do të therin olokaustet dhe flijimet për popullin dhe do të rrinë para tij për t'i shërbyer.
12 Duke qenë se i kanë shërbyer përpara idhujve të tij dhe kanë bërë që shtëpia e Izraelit të bjerë në mëkat, unë ngrita dorën time kundër tyre", thotë Zoti, Zoti, "duke u betuar se do të ndëshkohen për mëkatin e tyre.
13 Dhe nuk do të më afrohen më për të më shërbyer si priftërinj as do t'u afrohen asnjërës prej gjërave të mia të shenjta, gjërave që janë shumë të shenjta; por do të mbajnë turpin e tyre dhe ndëshkimin për veprimet e neveritshme që kanë kryer.
14 Megjithatë unë do t'u besoj atyre ruajtjen e tempullit për çdo shërbim të tij dhe për çdo gjë që do të bëhet në të.
15 Por priftërinjtë Levitë, bij të Tsadokut, që kanë treguar kujdes për shenjtëroren time kur bijtë e Izraelit u shmangën nga unë, do të më afrohen për të më shërbyer dhe do të qëndrojnë para meje për të më ofruar dhjamin dhe gjakun", thotë Zoti, Zoti.
16 "Ata do të hyjnë në shenjtëroren time, do t'i afrohen tryezës sime që të më shërbejnë dhe do të kryejnë gjithë shërbimin tim.
17 Kur të hyjnë nëpër portat e oborrit të brendshëm, do të veshin roba prej liri; nuk do të kenë në trup asnjë veshje prej leshi, kur të kryejnë shërbime në portat e oborrit të brendshëm dhe në tempull.
18 Do të kenë në krye çallma prej liri dhe pantallona prej liri mbi ijët; nuk do të ngjishen me atë që të bën të dërsitesh.
19 Por, kur do të dalin në oborrin e jashtëm, në oborrin e jashtëm në drejtim me popullin, do të heqin rrobat me të cilat kanë kryer shërbimin, do t'i depozitojnë në dhomat e shenjtërores dhe do të veshin rroba të tjera për të mos shenjtëruar popullin me veshjet e tyre.
20 Nuk do ta rruajnë kokën dhe as nuk kanë për të lënë t'u rriten flokët, por do t'i presin rregullisht flokët.
21 Asnjë prift nuk do të pijë verë, kur të hyjë në oborrin e brendshëm.
22 Nuk do të martohen me një të venë, as me grua të ndarë nga burri, por do të marrin virgjëresha nga pasardhësit e shtëpisë së Izraelit, ose një të ve që të jetë e veja e një prifti.
23 Do t'i mësojnë popullit tim të dallojë atë që është e shenjtë nga ajo që është profane dhe do t'i bëjnë të njohur ndryshimin midis asaj që është e papastër dhe asaj që është e pastër.
24 Në mosmarrëveshje ata do të veprojnë si gjyqtarë; do të gjykojnë sipas dekreteve të mia, do të zbatojnë ligjet e mia dhe statutet e mia në të gjitha festat e mia dhe do të shenjtërojnë të shtunat e mia.
25 Nuk do t'i afrohen një të vdekuri për të mos u ndotur; ata do të mund të ndoten vetëm për atin ose nënën, për birin ose bijën, për vëllanë ose për motrën e pamartuar.
26 Mbas pastrimit të tij për të do të numërohen shtatë ditë.
27 Ditën që do të hyjnë në vendin e shenjtë, në oborrin e brendshëm, për të kryer shërbimin në vendin e shenjtë, do të ofrojnë flijimin për mëkatin", thotë Zoti, Zoti.
28 "Sa për trashëgiminë e tyre, do të jem unë trashëgimia e tyre; nuk do t'u jepni atyre asnjë zotërim në Izrael, sepse jam unë zotërimi i tyre.
29 Ata do të ushqehen me blatimet e ushqimit, me flijimet për mëkatin dhe me flijimet për shkeljen; çdo gjë e destinuar Perëndisë në Izrael do të jetë e tyre.
30 Pjesa më e mirë e të gjitha prodhimeve të hershme dhe të gjitha ofertat e larta të çdo lloji midis ofertave tuaja të larta do t'u përkasin priftërinjve; do t'i jepni priftit edhe prodhimin e parë të brumit në mënyrë që bekimi të mbetet në shtëpinë tuaj.
31 Priftërinjtë nuk do të hanë mishin e asnjë zogu ose kafshe të ngordhur në mënyrë të natyrshme ose të shqyer".