1 Kujtoni, pra, atë që duroi një kundërshtim të tillë nga ana e mëkatarëve kundër tij, që të mos lodheni dhe të ligështoheni në shpirtin tuaj.

2 Ju akoma nuk keni qëndruar deri në gjak, duke luftuar kundër mëkatit,

3 dhe keni harruar këshillën që ju drejtohet juve porsi bijve: ''Biri im, mos e përçmo qortimin e Perëndisë dhe mos e humb zemrën kur ai të qorton,

4 sepse Perëndia ndreq atë që do dhe fshikullon çdo bir që i pëlqen''.

5 Në qoftë se ju do ta duroni qortimin, Perëndia do t'ju trajtojë si bij; sepse cilin bir nuk e korigjon i ati?

6 Por, po të mbeteni të pandrequr, ku të gjithë u bënë pjestarë, atëherë jeni kopila dhe jo bij.

7 Pastaj etërit tanë sipas mishit i patëm për të na ndrequr dhe i nderonim ata; a nuk do t'i nënshtrohemi edhe më tepër Atit të shpirtrave, për të jetuar?

8 Sepse ata na ndreqën për pak ditë, ashtu siç u dukej më mirë, kurse ai na ndreq për të mirën tonë që të bëhemi pjestarë të shenjtërisë së tij.

9 Çdo ndreqje, pra, aty për aty, nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por më pas u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të tij.

10 Prandaj forconi duart e kapitura dhe gjunjët e këputur,

11 dhe bëni shtigje të drejta për këmbët tuaja, që ajo e cila çalon të mos ndrydhet, por më tepër të shërohet.

12 Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë,

13 duke u kujdesur fort që askush të mos mbetet pa hirin e Perëndisë dhe se mos mbijë ndonjë rrënjë e hidhur dhe t'ju turbullojë dhe me anë të saj të ndoten shumë njerëz;

14 se mos ndodhet ndonjë kurvar ose profan, si Esau, i cili për një gjellë shiti të drejtën e tij të parëbirnisë.

15 Sepse e dini se, më pas, kur ai deshi të trashëgojë bekimin, iu refuzua, ndonëse e kërkoi me lot, sepse nuk gjeti vend pendimi.

16 Sepse ju nuk iu afruat malit që mund të kapet me dorë dhe që digjet me zjarr, as errësirës, as territ, as stuhisë,

17 as zërit të borisë, as zërit të fjalëve, të cilin ata që e dëgjuan u lutën që atyre të mos u drejtohej më asnjë fjalë,

18 sepse nuk mund të duronin urdhërin: ''Në se edhe një shtazë e prek malin, të vritet me gurë ose me shigjeta'';

19 dhe aq e llahtarshme ishte pamja, sa Moisiu tha: ''Unë jam i frikësuar dhe po dridhem i tëri''.

20 Por ju iu afruat malit Sion dhe qytetit të Perëndisë së gjallë, që është Jeruzalemi qiellor, edhe morisë së engjëjve,

21 kuvendit universal dhe kishës të të parëlindurve që janë shkruar në qiej, Perëndisë, gjykatësit të të gjithëve, shpirtërave të të drejtëve që u bënë të përsosur,

22 dhe Jezusit, Ndërmjetësit të Besëlidhjes së re, dhe gjakut të spërkatjes, që flet më mirë se ai i Abelit.

23 Shikoni se mos refuzoni atë që flet, sepse në qoftë se nuk shpëtuan ata që refuzuan të dëgjojnë atë që fliste si orakull mbi dhe, aq më pak do të shpëtojmë ne, po të mos refuzojmë të dëgjojmë atë që flet prej qiellit,

24 zëri i të cilit e drodhi atëherë dheun, por tashti bëri këtë premtim, duke thënë: ''Unë edhe një herë do të tund jo vetëm dheun, por edhe qiellin''.

25 Dhe kjo fjalë "edhe një herë" tregon ndryshueshmërinë e gjërave, që tunden, si të bëra me dorë, që të mbeten ato që nuk tunden.

26 Prandaj, duke marrë mbretërinë të patundur, le ta ruajmë këtë hir me anë të të cilit i shërbejmë Perëndisë në një mënyrë të pëlqyeshme, me nderim e me frikë,

27 sepse Perëndia ynë është një zjarr që konsumon.

28 Dashuria vëllazërore le të mbetet.

29 Mos harroni mikpritjen, sepse disa duke e praktikuar e priten pa ditur engjëj!