1 Profecia mbi Babiloninë, që ju paraqit në vegim Isaias, birit të Amotsit.
2 "Ngrini një flamur mbi një mal të lartë, ngrini zërin ndaj tyre, lëvizni dorën që të hyjnë në portat e princave.
3 Unë u dhashë urdhër atyre që më janë shenjtëruar mua, thirra trimat e mi për të zbatuar zemërimin tim, ata që ngazëllohen në madhërinë time.
4 Dëgjohet zhurma e një turme të madhe ndër malet, e ngjashme me atë të një populli të pamasë; zhurma plot rrëmet e mbretërive, e kombeve të mbledhura. Zoti i ushtrive kalon në revistë ushtrinë gati për betejë.
5 Vijnë nga një vend i largët, nga skaji i qiejve, Zoti dhe mjetet e zemërimit të tij, për të shkatërruar mbarë dheun.
6 Bërtisni, sepse dita e Zotit është e afërt; ajo po vjen si një shkatërrim nga ana e të Plotfuqishmit.
7 Prandaj të gjitha duart e njerëzve do të jenë të dobëta dhe çdo zemër e tyre do të ligështohet.
8 Do t'i zërë tmerri, do të kenë spazma dhe dhembje, do të përpëliten si një grua që po lind, do të shikojnë njëri tjetrin në fytyrë si të hutuar, fytyrat e tyre do të jenë fytyra të zjarrta.
9 Ja, dita e Zotit po vjen: një ditë mizore, indinjate dhe zemërimi të fortë, për ta bërë tokën shkretëtirë dhe për të shfarosur mëkatarët prej saj.
10 Sepse yjet e qiellit dhe yllësitë nuk do të shkëlqejnë më me dritën e tyre; dielli do të errësohet në lindjen e tij dhe hëna nuk do të përhapë më dritën e saj.
11 Unë do të dënoj botën për ligësinë e saj dhe të pabesët për paudhësinë e tyre; do t'i jap fund krenarisë së kryelartëve dhe do të hedh poshtë arrogancën e tiranëve.
12 Do ta bëjë njeriun e vdekshëm më të rrallë se ari i kulluar, njerëzinë më të rrallë se arin e Ofirit.
13 Prandaj do të bëj që të dridhen qiejtë, dhe toka do të tundet nga vendi i saj për shkak të indinjatës së Zotit të ushtrive ditën e zemërimit të zjarrtë të tij.
14 Atëherë si një gazelë e ndjekur apo si një kope që askush nuk e mbledh, gjithkush do të kthehet drejt popullit të tij, gjithkush do të ikë në vend të vet.
15 Kushdo që do të gjendet do të shpohet dhe kushdo që do të kapet do të vritet me shpatë.
16 Fëmijët e tyre do të bëhen copë-copë para syve të tyre, shtëpitë e tyre do të plaçkiten dhe gratë e tyre do të dhunohen.
17 Ja, unë po nxis kundër tyre Medët që nuk do ta kenë mendjen te argjendi dhe nuk gjejnë kënaqësi te ari.
18 Harqet e tyre do t'i rrëzojnë për tokë të rinjtë; nuk do të kenë mëshirë për foshnjat në bark të nënës; syri i tyre nuk do t'i kursejë fëmijët.
19 Kështu Babilonia, shkëlqimi i mbretërive, lavdia e krenarisë së Kaldeasve, do të jetë si Sodoma dhe Gomora kur Perëndia i përmbysi.
20 Ajo nuk do të banohet më as nuk do të popullohet brez pas brezi; Arabi nuk do të ngrerë më aty çadrën e tij, as barinjtë nuk do t'i ndalin aty kopetë e tyre.
21 Por aty do të pushojnë bishat e shkretëtirës, shtëpitë e tyre do të mbushen me huta, do të banojnë aty strucat, do të hedhin valle satirët.
22 Hienat do të ulërijnë në shtëpitë e tij të shkretuara, çakajtë në pallatet e tij luksoze. Koha e tij po afrohet, ditët e tij nuk do të zgjaten më".