1 "Pse vallë i Plotfuqishmi nuk i rezervon vetes kohëra dhe ata që e njohin nuk shohin ditët e tij?

2 Disa zhvendosin kufijtë, marrin me forcë kopetë dhe i çojnë në kullotë;

3 u marrin gomarin jetimëve dhe marrin peng kaun e gruas së ve;

4 i shtyjnë jashtë rruge nevojtarët, kështu tërë të varfrit e vendit janë të detyruar të fshihen.

5 Ja ku janë, si gomarë të egjër në shkretëtirë dalin në punën e tyre herët në mëngjes për të kërkuar ushqim; shkretëtira jep ushqim për ta dhe për bijtë e tyre.

6 Mbledhin forazhin e tyre në fushat dhe mbledhin vilet e pavjela në vreshtin e të pabesit.

7 E kalojnë natën lakuriq, pa rroba, dhe nuk kanë me se të mbulohen nga të ftohtit.

8 Të lagur nga rrebeshet që vijnë nga malet, për mungesë strehe shtrëngohen pas shkëmbinjve.

9 Të tjerë e rrëmbejnë nga gjiri jetimin dhe marrin pengje nga të varfrit.

10 E detyrojnë të varfrin të shkojë pa rroba dhe u marrin duajt të uriturve.

11 Bëjnë vaj midis mureve të të pabesëve, e shtrydhin rrushin në trokull, por kanë etje.

12 Vajtimi i atyre që po vdesin ngrihet nga qyteti, shpirti i të plagosurve kërkon ndihmë, por Perëndia nuk i vë mend të keqes që u ka bërë.

13 Të tjerë janë armiq të dritës, nuk njohin rrugët e saj dhe nuk qëndrojnë në shtigjet e saj.

14 Vrasësi ngrihet në të gdhirë, për të vrarë të varfrin dhe nevojtarin; natën përkundrazi sillet si vjedhësi.

15 Syri i shkelësit të kurorës bashkëshortore pret muzgun duke menduar: "Askush nuk do të më shohë", dhe vë një vel mbi fytyrën e tij.

16 Natën depërtojnë nëpër shtëpitë; ditën rrinë mbyllur; nuk e njohin dritën.

17 Mëngjesi është për ta si hija e vdekjes, sepse ata i njohin mirë tmerret e hijes së vdekjes.

18 Kalojnë shpejt mbi sipërfaqen e ujërave, pjesa e tyre është e mallkuar mbi tokë, dhe askush nuk do të hynte më në vreshtat e tyre.

19 Ashtu si thatësia dhe vapa tretin ujërat e dëborës, kështu bën edhe Sheoli me atë që ka mëkatuar.

20 Gjiri i nënës e harron, krimbat e hanë duke e shijuar; atë nuk do ta kujtojnë më; i keqi do të pritet si një dru.

21 Ai gëlltiste gruan shterpë që nuk ka fëmijë dhe nuk i bënte asnjë të mirë gruas së ve!

22 Por Perëndia me forcën e tij tërheq tutje të fuqishmit dhe, në qoftë se shfaqen përsëri, asnjeri nuk mund të jetë i sigurt për jetën e tij.

23 U jep siguri dhe ata i besojnë asaj; megjithatë sytë e tij kundrojnë rrugët e tyre.

24 Ngrihen për pak kohë, por pastaj nuk janë më; rrëzohen dhe çohen tutje si gjithë të tjerët; priten si kokat e kallinjve të grurit.

25 Në qoftë se nuk është kështu, kush mund të më përgënjeshtrojë dhe të shfuqizojë vlerën e fjalëve të mia?".