1 Atëherë u ngrit gjithë asambleja dhe e çuan te Pilati.
2 Dhe filluan ta paditin duke thënë: ''Këtë ne e gjetëm që përmbyste kombin tonë dhe ndalonte t'i jepeshin taksa Cezarit, duke u vetëquajtur një mbret, Krishti''.
3 Atëherë Pilati e pyeti duke thënë: ''A je ti mbreti i Judenjve?''. Dhe Jezusi iu përgjigj dhe tha: ''Ti po thua''.
4 Pilati u tha atëherë krerëve të priftërinjve dhe popullit: ''Unë nuk po gjej asnjë faj te ky njeri''.
5 Por ata ngulnin këmbë, duke thënë: ''Ai po ngre popullin në kryengritje duke mësuar në mbarë Judenë, që nga Galilea e deri këtu''.
6 Atëherë Pilati, kur dëgjoi se u fol për Galilenë, pyeti në se ai njeri ishte Galileas.
7 Dhe kur mori vesh se ai i takonte juridiksionit të Herodit, e dërgoi te Herodi, i cili, ndër ato ditë, ndodhej edhe ai në Jeruzalem.
8 Kur Herodi pa Jezusin, u gëzua shumë; prej shumë kohësh ai donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të dhe shpresonte të shihte ndonjë mrekulli të kryer prej tij.
9 Ai i drejtoi shumë pyetje, por Jezusi nuk u përgjigj fare.
10 Ndërkaq krerët e priftërinjve dhe skribët rrinin aty dhe e paditnin me furi.
11 Atëherë Herodi, me ushtarët e vet, mbasi e fyu dhe e talli, e veshi me një rrobe të shkëlqyeshme dhe ia riktheu Pilatit.
12 Atë ditë Herodi dhe Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, ndërsa më parë ishin armiq.
13 Atëherë Pilati, mblodhi krerët e priftërinjve, kryetarët dhe popullin,
14 dhe u tha atyre: ''Ju më prutë këtë njeri si çoroditës të popullit; dhe ja, unë, pasi e hetova para jush, nuk kam gjetur tek ai asnjë nga fajet për të cilat ju e paditni,
15 dhe as Herodi, sepse na e ktheu përsëri te ne; në fakt ai s'ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen.
16 Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj''.
17 Tani me rastin e festës së Pashkës qeveritari duhet të lironte dikë.
18 Por ata, të gjithë njëzeri, bërtitën duke thënë: ''Vraje këtë dhe na liro Barabën''.
19 Ky ishte hedhur në burg për një trazirë të bërë në qytet dhe për vrasje.
20 Prandaj Pilati, duke dashur të lëshojë Jezusin, u foli përsëri.
21 Por ata bërtitnin duke thënë: ''Kryqëzoje!''.
22 Për të tretën herë ai u tha atyre: ''Po ç'të keqe bëri ky? Unë nuk gjeta në të asnjë faj që të meritojë vdekjen. Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj''.
23 Por ata ngulnin këmbë me britma te mëdha duke kërkuar që ta kryqëzonin; dhe britmat e tyre dhe të krerëve të priftërinjve u bënë mbisunduese.
24 Atëherë Pilat vendosi që të bëhej çka ata kërkonin.
25 Dhe ua lëshoi atë që qe burgosur për trazirë dhe vrasje dhe që ata e kishin kërkuar; dhe Jezusin ia dorëzoi vullnetit të tyre.
26 Ndërsa po e çonin, kapën njëfarë Simoni nga Kirena, që po kthehej nga fusha, e ngarkuan me kryqin që ta mbarte pas Jezusit.
27 Dhe e ndiqte një turmë e madhe populli dhe disa gra që hidhëroheshin dhe vajtonin për të.
28 Por Jezusi u kthye nga ato dhe u tha: ''O bija të Jeruzalemit, mos qani për mua, por qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj.
29 Sepse ja, do të vijnë ditët kur do të thuhet: "Lum gratë shterpe dhe lum barqet që nuk kanë pjellë dhe gjinjtë që nuk kanë mëndur!".
30 Atëherë do të fillojnë t'u thonë maleve: "Bini përmbi ne!", dhe kodrave: "Na mbuloni!".
31 Sepse, në se bëhet kështu me drurin e njomë, ç'do të bëhet me të thatin?".
32 Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t'i vrarë.
33 Dhe kur arritën në vendin që quhet ''Kafka'', aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë.
34 Dhe Jezusi tha: ''O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç'bëjnë''. Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short.
35 Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: ''Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë''.
36 Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull,
37 dhe duke thënë: ''Nëse ti je mbreti i Judenjve, shpëto veten''.
38 Përveç kësaj përmbi kryet e tij ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: "KY ÉSHTÉ MBRETI I JUDENJVE".
39 Tani një nga keqberësit e kryqëzuar e shau duke thënë: ''Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve''.
40 Por ai tjetri duke e përgjigjur e qortoi duke i thënë: ''A s'ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim?
41 Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe''.
42 Pastaj i tha Jezusit: ''Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde''.
43 Atëherë Jezusi i tha: ''Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë''.
44 Ishte afërsisht ora e gjashtë dhe errësira e mbuloi gjithë vendin deri në orën e nëntë.
45 Dielli u err dhe perdja e tempullit u nda në mes.
46 Dhe Jezusi bërtiti me zë të lartë dhe tha: ''O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!''. Dhe, si tha këto, dha fryma.
47 Atëherë centurioni, kur pa ç'ndodhi, përlëvdoi Perëndinë duke thënë: ''Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë!''.
48 Dhe gjithë turma, që ishte mbledhur për të parë ç'po ndodhte, kur e pa këtë, u kthye duke rrahur kraharorin.
49 Të gjithë të njohurit e tij dhe gratë që e kishin ndjekur që nga Galilea qendronin larg, duke parë këto gjëra.
50 Tani ishte një burrë me emër Jozef, që ishte anëtar i sinedrit, njeri i drejtë dhe i mirë;
51 ai nuk kishte miratuar vendimin dhe veprimin e të tjerëve. Ai ishte nga Arimatea, qytet i Judesë dhe priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë.
52 Ai iu paraqit Pilatit dhe kërkoi trupin e Jezusit.
53 Dhe, pasi e zbriti poshtë nga kryqi, e mbështolli në një çarçaf dhe e vuri në një varr të gërmuar në shkëmb, ku ende nuk ishte varrosur asnjeri.
54 Ishte dita e Përgatitjes dhe e shtuna po fillonte.
55 Gratë që kishin ardhur me Jezusin nga Galilea duke e ndjekur nga afër, e panë varrin dhe mënyrën se si ishte vënë trupi i Jezusit;
56 pastaj ato u kthyen dhe përgatitën erëra të mira dhe vajra; dhe gjatë së shtunës pushuan, sipas urdhërimit.