1 Kujto, o Zot, atë që na ka ndodhur, shiko dhe vër re turpin tonë.
2 Trashëgimia jonë u ka kaluar të huajve, shtëpitë tona njerëzve që nuk janë tanët.
3 Ne u bëmë jetimë, pa etër, nënat tona janë si të veja.
4 Duhet të paguajmë për ujët që pimë, drutë tona i kemi vetëm me pagesë.
5 Na ndjekin me një zgjedhë mbi qafë, jemi të rraskapitur dhe nuk kemi fare pushim.
6 I kemi shtrirë dorën Egjiptit dhe Asirisë për t'u ngopur me bukë.
7 Etërit tanë kanë mëkatuar dhe nuk janë më, dhe ne mbajmë ndëshkimin për paudhësitë e tyre.
8 Skllevërit sundojnë mbi ne, askush nuk mund të na çlirojë nga duart e tyre.
9 E nxjerrim bukën duke rrezikuar jetën tonë, përpara shpatës së shkretëtirës.
10 Lëkura jonë është ngrohur si në një furrë për shkak të valës së urisë.
11 Kanë dhunuar gratë në Sion, virgjëreshat në qytetet e Judës.
12 Krerët janë varur nga duart e tyre, personi i pleqëve nuk është respektuar.
13 Të rinjtë i vunë të bluajnë, të vegjëlit u rrëzuan nën barrën e druve.
14 Pleqtë nuk mblidhen më te porta, të rinjtë nuk u bien më veglave të tyre.
15 Gëzimi i zemrave tona është pakësuar, vallja jonë është shndërruar në zi.
16 Kurora ka rënë nga koka jonë; mjerë ne, sepse kemi mëkatuar!
17 Prandaj u sëmur zemra jonë, për këto gjëra na janë errësuar sytë:
18 për malin e Sionit që është i shkretuar dhe në të cilin sillen dhelprat.
19 Por ti, o Zot, mbetesh për jetë, dhe froni yt brez pas brezi.
20 Pse do të na harroje për jetë dhe do të na braktisje për një kohë të gjatë?
21 Na bëj që të rikthehemi te ti, o Zot, dhe ne do të kthehemi; rivendos ditët tona si në të kaluarën.
22 Mos vallë na hodhe poshtë fare apo je zemëruar me të madhe kundër nesh?