1 Zoti i tha akoma Moisiut: "Folu priftërinjve, bijve të Aaronit, dhe u thuaj: Asnjë prift të mos ndotet për një të vdekur në mes të popullit të tij,
2 veç se po të jetë një i afërm i tij i një gjaku: nëna, ati, biri, bija, vëllai
3 dhe motra e tij ende e virgjër që jeton me të, dhe që nuk është martuar ende; për atë mund të ndotet.
4 Duke qënë një udhëheqës në mes të popullit të tij, nuk do të ndotet duke përdhosur veten e tij.
5 Priftërinjtë nuk do të bëjnë tonsurën mbi kokën e tyre, nuk do të rruajnë mjekrën e tyre dhe nuk do të bëjnë prerje mbi mishin e tyre.
6 Do të jenë të shenjtë për Perëndinë e tyre dhe nuk do të përdhosin emrin e Perëndisë së tyre, sepse i ofrojnë flijime Zotit, të përgatitura me zjarr dhe bukën Perëndisë së tyre; prandaj do të jenë të shenjtë.
7 Nuk do të marrin për grua një kurvë, as edhe një grua faqenxirë; nuk do të marrin një grua të ndarë nga burri, sepse janë të shenjtë ndaj Perëndisë së tyre.
8 Ti do ta konsiderosh priftin të shenjtë, sepse ai i ofron bukën Perëndisë tënd; ai ka për të qënë i shenjtë për ty, sepse unë, Zoti që ju shenjtëroj, jam i shenjtë.
9 Në rast se bija e një prifti humb nderin duke u bërë kurvë, ajo turpëron të atin: ajo do të digjet me zjarr.
10 Por ai që është kryeprift midis vëllezërve të tij, mbi kokën e të cilit është vënë vaji i vajosjes dhe që është shenjtëruar për të veshur rrobat e shenjta, nuk do të zbulojë kokën dhe nuk do të shqyejë rrobat.
11 Nuk do t'i afrohet asnjë kufome; nuk do të ndotet as për të atin, as për të ëmën.
12 Nuk do të dalë nga shenjtërorja dhe nuk do të përdhosë shenjtëroren e Perëndisë së tij, sepse shenjtërimi i vajosjes nga ana e Perëndisë është mbi të. Unë jam Zoti.
13 Do të marrë për grua një virgjëreshë.
14 Nuk do të marrë as grua të ve, as të ndarë nga burri, as grua faqenxirë, as kurvë; por do të marrë për grua një virgjëreshë nga populli i tij.
15 Nuk do të turpërojë trashëgimtarët e tij në mes të popullit; sepse unë jam Zoti që ju shenjtëron".
16 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
17 "Foli Aaronit dhe i thuaji: Në brezat e ardhshëm asnjë burrë nga fisi yt, që ka ndonjë gjymtim, nuk do të mund të afrohet për të ofruar bukën e Perëndisë së tij;
18 sepse asnjë njeri që ka ndonjë gjymtim nuk do të mund të afrohet: as i verbri, as i çali as ai që ka një fytyrë të përçudnuar, ose ka një gjymtyrë të deformuar,
19 një thyerje të këmbës apo të dorës,
20 as gungaçi as shkurtabiqi as ai që ka një njollë në sy apo një ekzemë, a zgjeben apo herdhet të shtypura.
21 Asnjë burrë nga fisi i priftit Aaron që ka ndonjë gjymtim nuk do të afrohet për t'i ofruar flijimet e bëra me zjarr Zotit. Ka një gjymtim; të mos afrohet për të ofruar bukën e Perëndisë së tij.
22 Ai do të mund të hajë bukën e Perëndisë së tij, gjëra shumë të shenjta dhe gjëra të shenjta;
23 nuk do t'i afrohet velit as edhe altarit, sepse ka një gjymtim. Nuk do të përdhosë vendet e mia të shenjta, sepse unë jam Zoti që i shenjtëroj".
24 Dhe Moisiu ia tha këto gjëra Aaronit, bijve të tij dhe gjithë bijve të Izraelit.