1 Kur Sanballati dëgjoi që ne po rindërtonim muret, u zemërua, u revoltua thellë dhe filloi të tallet me Judejtë,

2 dhe u tha përpara vëllezërve të tij dhe ushtarëve të Samarisë: "Çfarë po bëjnë këta Judej matufë? Do të fortifikohen? Do të ofrojnë flijime? A do të mbarojnë brenda një dite? Mos vallë do të ringjallin gurët e konsumuar nga zjarri i togjeve të rrënojave?".

3 Tobiahu, Amoniti, që i rrinte pranë, tha: "Le të ndërtojnë! Por në rast se një dhelpër hipën sipër, do ta rrëzojë murin e tyre prej guri!".

4 Dëgjo, o Perëndia ynë, sepse na përçmojnë! Bëj që të bjerë mbi kokën e tyre fyerja e tyre dhe braktisi në përbuzje në një vend robërie!

5 Mos e mbulo paudhësinë e tyre dhe mos lejo që mëkati i tyre të fshihet para teje, sepse kanë provokuar zemërimin tënd para ndërtuesve".

6 Ne, pra, i rindërtuam muret që u bashkuan deri në gjysmën e lartësisë së tyre; populli e kishte marrë me zemër punën.