1 Biri im, ki kujdes për diturinë time, vëri veshin arsyetimit tim,
2 me qëllim që ti të ruash gjykimin dhe buzët e tua të fiksojnë diturinë.
3 Sepse buzët e gruas që shkel kurorën nxjerrin mjaltë dhe goja e saj është më e butë se vaji;
4 por në fund ajo është e hidhur si pelini, e mprehtë si një shpatë me dy presa.
5 Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes, hapat e saj çojnë drejtpërdrejt në Sheol.
6 Ajo nuk ecën në shtegun e jetës, por ti nuk i jep rëndësi kësaj gjëje; rrugët e saj janë të gabuara, por ti nuk e kupton.
7 Prandaj tani, bij të mi, më dëgjoni dhe mos u largoni nga fjalët e gojës sime.
8 Mbaje larg prej saj rrugën tënde dhe mos iu afro portës së shtëpisë së saj,
9 për të mos ua dhënë të tjerëve fuqinë tënde dhe vitet e tua dikujt që nuk ka mëshirë.
10 Me qëllim që të huajt të mos ngopen me pasurinë tënde, dhe mundi yt të mos shkojë në shtëpinë e një të huaji,
11 dhe të mos rënkosh kur do të të vijë fundi, kur mishi dhe trupi yt do të jenë të konsumuar,
12 dhe të thuash: "Vallë si urreva mësimin, dhe si e ka përçmuar qortimin zemra ime?
13 Nuk dëgjova zërin e atyre që më mësonin dhe nuk ua vura veshin atyre që më udhëzonin.
14 U ndodha pothuajse në një të keqe të plotë në mes të turmës dhe të kuvendit".
15 Pi ujin e sternës sate dhe ujin e rrjedhshëm të pusit tënd.
16 A duhet burimet e tua të derdhen jashtë, si rrëke uji nëpër rrugë?
17 Qofshin vetëm për ty dhe jo për të huajtë bashkë me ty.
18 Qoftë i bekuar burimi yt dhe gëzohu me nusen e rinisë sate.
19 Drenushë e dashur dhe gazelë hirplotë, sisët e saj le të të kënaqin kurdoherë, dhe qofsh vazhdimisht i dhënë pas dashurisë që ke për të.
20 Pse vallë, biri im, të biesh në dashuri me një grua që ka shkelur kurorën dhe të rrokësh gjirin e një të huaje?
21 Sepse rrugët e njeriut janë gjithnjë përpara syve të Zotit, dhe ai vëzhgon të gjitha shtigjet e tij.
22 I pabesi zihet nga vetë paudhësitë e tij dhe mbahet nga litarët e mëkatit të tij.
23 Ai ka për të vdekur sepse nuk korrigjohet dhe do të zhduket për shkak të marrëzisë së tij.