3 Atëhërë i erdhën disa që i paraqitën një të paralizuar, që po e bartnin katër vetë.
4 Por, duke qenë se nuk mund t'i afroheshin për shkak të turmës, zbuluan çatinë në vendin ku ndodhej Jezusi dhe, mbasi hapën një vrimë, e lëshuan vigun mbi të cilin rrinte shtrirë i paralizuari.
5 Jezusi, kur pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: ''O bir, mëkatet e tua të janë falur!''.
6 Por aty po rrinin ulur disa shkribë, të cilët, në zemër të vet, po mendonin:
7 ''Pse vallë ky po flet blasfemi. Kush mund të falë mëkatet, veç Perëndisë vetë?''.
8 Por Jezusi, i cili menjëherë kuptoi në frymën e vet se ata po i mendonin këto gjëra në veten e tyre, u tha atyre: ''Pse i mendoni këto gjëra në zemrat tuaja?
9 Çfarë është më lehtë: t'i thuash të paralizuarit: "Mëkatet e tua të janë falur", apo t'i thuash: "Çohu, merre vigun tënd dhe ec"?
10 Dhe tani, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatët mbi dhe,
11 unë po të them (i tha të paralizuarit): Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!"''.
12 Dhe ai u ngrit menjëherë, mori vigun e vet dhe doli përjashta në praninë e të gjithëve dhe kështu të gjithë u habitën dhe lëvduan Perëndinë duke thënë: ''Një gjë të tillë s'e kemi parë kurrë!''.
27 Dhe ndërsa Jezusi po largohej prej andej, dy të verbër e ndiqnin duke bërtitur dhe duke thënë: ''Ki mëshirë për ne, Bir i Davidit!''.
28 Kur arriti në shtëpi, të verbërit iu afruan dhe Jezusi u tha atyre: ''A besoni ju se unë mund ta bëj këtë gjë?''. Ata iu përgjigjën: ''Po, o Zot''.
29 Atëherë ai ua preku sytë, duke thënë: ''U bëftë sipas besimit tuaj''.
30 Dhe atyre iu hapën sytë. Pastaj Jezusi i urdhëroi rreptësisht duke thënë: ''Ruhuni se mos e merr vesh njeri''.
31 Por ata, sapo dolën, e përhapën famën e tij në mbarë atë vend.
12 Ndodhi që, ndërsa Jezusi ndodhej në një nga ato qytete, erdhi një njeri i mbushur plot me lebër, i cili, kur e pa Jezusin, ra me fytyrë për dhe dhe iu lut duke thënë: ''Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh''.
13 Atëherë ai e zgjati dorën, e preku duke thënë: ''Po, e dua, qofsh i pastruar''. Dhe menjëherë lebra iu zhduk.
30 Vjehrra e Simonit ishte në shtrat me ethe dhe ata menjëherë i folën për të.
31 Atëhërë ai u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. Menjëherë ethet e lanë dhe ajo nisi t'u shërbejë.
27 Në të vërtetë po ju them se këtu janë të pranishëm disa që nuk do ta shjojnë vdekjen, para se ta shohin mbretërinë e Perëndisë''.
28 Dhe ndodhi që afërsisht tetë ditë pas këtyre thënieve, Ai mori me vete Pjetrin, Gjonin Jakobin dhe u ngjit në mal për t'u lutur.
29 Dhe ndërsa po lutej, pamja e fytyrës së tij ndryshoi dhe veshja e tij u bë e bardhë dhe e ndritshme.
30 Dhe ja, dy burra po bisedonin me të; ata ishin Moisiu dhe Elia,
31 të cilët, të shfaqur në lavdi, i flisnin për ikjen e tij nga kjo jetë që do të kryhej së shpejti në Jeruzalem.
11 Por ju thoni: "Në qoftë se dikush i thotë atit të vet ose nënës së vet: Gjithçka që mund të bëjë për ty është kurban, domethënë një ofertë Perëndisë",
12 nuk e lejoni atë të bëjë asgjë për atin e vet ose për nënën e vet,
13 duke e anuluar kështu fjalën e Perëndisë me traditën tuaj, që ju e keni trashëguar. Dhe ju po bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme''.
14 Pastaj thirri gjithë turmën rreth vetes dhe i tha: ''Më dëgjoni të gjithë dhe kuptoni:
15 Nuk ka asgjë jashtë njeriut që, duke hyrë në të, mund ta ndotë atë; përkundrazi janë ato gjëra që dalin prej tij që e ndotin.
38 Dhe mbasi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës, pa një rrëmujë të madhe dhe njerëz që qanin dhe ulërinin me të madhe.
39 Hyri dhe u tha atyre: ''Pse bërtitni e qani? Vajza nuk ka vdekur, por fle''.
40 Dhe ata e përqeshën, por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, mori me vete atin dhe nënën e vajzës dhe ata që qenë me atë, dhe hyri atje ku dergjej vajza.
41 E mori, pra, për dore vajzën dhe i tha: ''Talitha kumi'', që e përkthyer do të thotë: ''Vajzë, ty po të them: Çohu!''.
42 Dhe menjëherë vajza u ngrit dhe filloi të ecë. Ajo ishte në fakt dymbëdhjetë vjeçe. Dhe ata u habitën me habi të madhe.
32 Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha: ''Unë kam mëshirë për turmën, sepse u bënë tri ditë që rri me mua dhe nuk ka asgjë për të ngrënë; nuk dua t'i nis të pangrënë, se mos ligështohen gjatë rrugës''.
33 Dhe dishepujt e tij i thanë: ''Po ku mund të gjejmë në këtë vend të shkretë aq bukë sa të ngopim një turmë kaq të madhe?''.
34 Dhe Jezusi u tha atyre: ''Sa bukë keni?''. Ata thanë: ''Shtatë dhe pak peshq të vegjël''.
35 Atëherë ai u dha urdhër turmave që të uleshin për tokë.
36 Pastaj i mori shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të tij, dhe dishepujt turmës.
37 Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; dhe ngritën tepricën e copave, shtatë kosha plot.
38 Dhe ata që hëngrën ishin katër mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët.
1 Tri ditë më vonë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë, dhe nëna e Jezusit ishte atje.
2 Edhe Jezusi me dishepujt e vet ishte ftuar në dasmë.
3 Duke qenë se mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: ''Nuk kanë më verë!''.
4 Jezusi i tha: ''Ç'ke me mua, o grua? Ora ime s'ka ardhur akoma!''.
5 Nëna e tij u tha shërbëtorëve: ''Bëni gjithçka që ai t'ju thotë!''.
6 Aty ishin gjashtë enë prej guri, që përdoreshin për pastrimin e Judenjve, dhe secila nxënte dy ose tri masa.
7 Jezusi u tha: ''Mbushni enët me ujë!''. Dhe ata i mbushën deri në grykë.
8 Pastaj u tha: ''Nxirreni tani dhe çojani të parit të festës''. Dhe ata ia çuan.
9 Dhe, mbasi i pari i festës e provoi ujin e shndërruar në verë (ai nuk e dinte nga vinte kjo verë, por e dinin mirë shërbëtorët që e kishin nxjerrë ujin), i pari i festës e thirri dhëndrin,
10 dhe i tha: ''Çdo njeri nxjerr në fillim verën më të mirë dhe, kur të ftuarit kanë pirë shumë, verën e keqe; ti, përkundrazi, e ke ruajtur verën e mirë deri tani!''.
11 Jezusi bëri këtë fillim të shenjave në Kanë të Galilesë dhe e shfaqi lavdinë e tij, dhe dishepujt e tij besuan në të.
35 Duke qenë se u bë vonë, dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: ''Ky vend është i shkretë, dhe tashmë është vonë.
36 Lejoi këta njerëz që të shkojnë në fushat dhe në fshatrat rreth e qark që të blejnë bukë, se s'kanë gjë për të ngrënë''.
37 Por ai, duke iu përgjigjur, u tha atyre: ''U jepni ju të hanë!'' Ata i thanë: ''A duhet të shkojmë ne të blejmë për dyqind denarë bukë dhe t'u japim të hanë?''.
38 Dhe ai u tha atyre: ''Sa bukë keni? Shkoni e shikoni''. Ata, mbasi shikuan, thanë: ''Pesë bukë e dy peshq''.
39 Atëherë ai i urdhëroi ata që t'i rregullojnë të gjithë, ulur në grupe, mbi barin e njomë.
40 Kështu ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë.
41 Pastaj ai mori pesë bukët dhe dy peshqit, i ngriti sytë nga qielli, i bekoi; i theu bukët dhe ua dha dishepujve të vet, që t'ua shpërndanin atyre; ua ndau gjithashtu dy peshqit të gjithëve.
42 Të gjithë hëngrën sa u ngopën.
43 Dhe mblodhën dymbëdhjetë shporta me copa buke dhe me mbetje peshku.
44 Ata që hëngrën nga ato bukë ishin pesë mijë burra.
24 Pastaj u nis që andej dhe shkoi në krahinën e Tiros dhe të Sidonit; hyri në një shtëpi dhe donte që askush të mos e dinte, por nuk mundi të qëndrojë i fshehur.
25 Në fakt një grua, vajza e së cilës kishte një frymë e ndyrë, duke dëgjuar për Jezusin, erdhi dhe u hodh para këmbëve të tij.
26 Tani ajo grua ishte greke, me prejardhje sirofenikase; dhe iu lut që ta dëbonte demonin nga e bija;
27 por Jezusi i tha: ''Lëri më parë fëmijët të ngopen, sepse nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t'u hidhet këlyshëve të qenve''.
28 Por ajo u përgjigj dhe i tha: ''Mirë po flet, o Zot, por edhe këlyshët nën tryezë hanë thërimet e fëmijëve!''
29 Atëherë ai i tha: ''Për këtë fjalën tënde, shko; demoni doli nga vajza jote!''.
30 Dhe ajo, kur u kthye në shtëpinë e vet, e gjeti të bijën në shtrat, dhe demoni i kishte dalë.
31 Mbasi u nis përsëri nga krahina e Tiros dhe e Sidonit, Jezusi arriti te deti i Galilesë, në mes të krahinës së Dekapolit.
32 Dhe i paraqitën një të shurdhët që mezi fliste, dhe iu lutën t'i vërë duart mbi të.
33 Si e mori veçmas, larg turmës, ia shtiu gishtrinjtë në vesh dhe mbasi e pështyu ia preku gjuhën.
34 Pastaj i drejtoi sytë nga qielli, psherëtiu dhe i tha: ''Effatha'', që do të thotë: ''Hapu!''.
35 Dhe menjëherë iu hapën veshët, iu zgjidh nyja e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.
36 Dhe Jezusi i urdhëroi ata që të mos i tregojnë askujt; por sa më tepër ua ndalonte, aq më tepër ata e përhapnin.
37 Dhe, të habitur shumë, thonin: ''Ai çdo gjë e ka bërë mirë: ai i bën që të shurdhët të dëgjojnë dhe memecët të flasin!''.
1 Pas këtyre gjërave, Jezusi iu shfaq përsëri dishepujve pranë Detit të Tiberiadës; dhe u shfaq në këtë mënyrë:
2 Simon Pjetri, Thomai i quajtur Binjaku, Natanaeli nga Kana e Galilesë, të bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë nga dishepujt e tij ishin bashkë.
3 Simon Pjetri u tha atyre: ''Po shkoj të peshkoj''. Ata i thanë: ''Po vijmë edhe ne me ty''. Dolën dhe hipën menjëherë në barkë; por atë natë nuk zunë asgjë.
4 Në mëngjes herët, Jezusi ndenji te bregu; megjithatë dishepujt nuk e kuptuan se ishte Jezusi.
5 Dhe Jezusi u tha atyre: ''O djema, a keni ndonjë gjë për të ngrënë?''. Ata iu përgjigjën: ''Jo!''.
6 Dhe ai u tha atyre: ''Hidhni rrjetën në anën e djathtë të barkës dhe do të gjeni''. E hodhën, pra, dhe s'mundën më ta tërhiqnin nga shumica e peshqve.
7 Atëherë dishepulli, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: ''Éshtë Zoti''. Simon Pjetri, kur dëgjoi se ishte Zoti, u mbështoll me rrobë (sepse ishte i zhveshur) dhe u hodh në det.
8 Dishepujt e tjerë përkundrazi shkuan me barkë (sepse nuk ishin shumë larg nga toka, vetëm dyqind kubitë), duke tërhequr rrjetën plot me peshq.
9 Mbasi dolën në tokë, panë një zjarr me prush dhe mbi të peshk dhe bukë.
10 Jezusi u tha atyre: ''Sillni këtu disa nga peshqit që zutë tani!''.
11 Simon Pjetri hipi përsëri në barkë dhe nxori në tokë rrjetën, plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre; dhe, megjithse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye.
6 Një të shtunë tjetër ndodhi që ai hyri në sinagogë dhe po mësonte; atje ishte një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë.
7 Dhe farisenjtë dhe skribët rrinin dhe e ruanin nëse ai do ta shëronte të shtunën, që pastaj ta paditnin.
8 Por ai ua njihte mendimet e tyre dhe i tha njeriut me dorë të tharë: ''Çohu dhe dil këtu në mes''. Dhe ai u ngrit në këmbë.
9 Pastaj Jezusi u tha atyre: ''Unë po ju pyes: A është e lejueshme, të shtunave, të bësh mirë apo keq, të shpëtosh një njeri apo ta vrasësh?''.
10 Dhe si i vështroi të gjithë rreth e rrotull, i tha atij njeriu: ''Shtrije dorën tënde!''. Dhe ai veproi kështu dhe dora e tij iu shëndosh si tjetra.
12 Të nesërmen, kur dolën nga Betania, ai kishte uri.
13 Dhe, duke parë nga larg një fik që kishte gjethe, shkoi për të parë në se mund të gjente diçka atje; por, kur iu afrua, s'gjeti asgjë përveç gjetheve, sepse nuk ishte koha e fiqve.
14 Atëherë Jezusi, duke iu drejtuar fikut, tha: ''Askush mos ngrëntë kurrë fryt prej teje përjetë''. Dhe dishepujt e tij e dëgjuan.
38 Dhe ja, një burrë nga turma filloi të bërtasë, duke thënë: ''Mësues, të lutem, ktheje vështrimin mbi djalin tim, sepse është i vetmi që kam.
39 Dhe ja, një frymë e kap dhe menjëherë ai bërtet; pastaj e përpëlit dhe e bën të nxjerrë shkumë dhe mezi largohet, pasi e ka sfilitur.
40 U jam lutur dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata nuk kanë mundur''.
41 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''O brez mosbesues dhe i çoroditur, deri kur do të jem me ju dhe deri kur do t'ju duroj? Sille këtu djalin tënd''.
42 Dhe, ndërsa fëmija po afrohej, demoni e përpëliti atë dhe e sfiliti. Por Jezusi e qortoi frymën e ndyrë, e shëroi djalin dhe ia dorëzoi atit të vet.
43 Të gjithë mbetën të mahnitur nga madhëria e Perëndisë. Dhe, ndërsa të gjithë po mrekulloheshin për gjithçka bënte Jezusi, ai u tha dishepujve të vet:
24 Kur arritën në Kapernaum, vjelësit e të drahmeve iu afruan Pjetrit dhe thanë: ''Mësuesi juaj a e paguan taksën e tempullit?''.
25 Ai tha: ''Po''. Kur hyri në shtëpi, Jezusi e priti përpara duke thënë: ''Ç'mendon ti, Simon? Prej kujt i marrin haraçet ose taksat mbretërit e dheut? Prej bijve të vet apo prej të huajve?''.
26 Pjetri i tha: ''Prej të huajve''. Jezusi tha: ''Bijtë, pra, përjashtohen.
27 Megjithatë, për të mos i skandalizuar ata, shko në det, hidhe grepin dhe merr peshkun e parë që do vijë lart, hapja gojën dhe do të gjesh një staterë; merre dhe jepjau atyre për ty dhe për mua''.
31 Atëherë Zoti tha: ''Me çfarë t'i krahasoj, pra, njerëzit e këtij brezi? Dhe kujt i ngjajnë?
32 U ngjajnë fëmijëve që ulen ndër sheshe dhe i bërtasin njëri-tjetrit duke thënë: "Ne i kemi rënë fyellit për ju dhe ju nuk keni kërcyer; ne kemi kënduar vajtime për ju dhe ju nuk keni qarë".
33 Erdhi, pra, Gjon Pagëzori, që nuk ha bukë dhe as pi verë dhe ju thoni: "Ai ka një demon".
34 Erdhi Biri i njeriut që ha dhe pi, dhe ju thoni: "Ja grykësi dhe pijaneci, miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve".
35 Por urtisë i japin të drejtë gjithë bijtë e saj''.
36 Një nga farisenjtë e ftoi atë të hajë bashkë me të; dhe ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë.
37 Dhe ja, një grua nga ai qytet, që ishte një mëkatare, kur mori vesh se ai ishte në tryezën e shtëpisë së një fariseu, solli një enë alabastri plot me vaj erëkëndshëm.
1 Kështu arritën në bregun tjetër të detit, në krahinën e Gadarenasve.
2 Dhe, sapo Jezusi zbriti nga barka, menjëherë i doli përpara nga varrezat një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë,
3 i cili banonte në varreza dhe kurrkush s'kishte mundur ta lidhë, qoftë edhe me zinxhirë.
4 Shpesh herë, pra, e kishin lidhur me pranga e zinxhirë; por ai gjithnjë i thyente zinxhirët dhe i këpuste prangat; dhe kurrkush nuk e kishte bërë dot zap.
5 Vazhdimisht, natën dhe ditën, nëpër varre e mbi male, shkonte duke bërtitur dhe duke e rrahur veten me gurë.
6 Tani kur e pa Jezusin prej së largu, ai u turr dhe ra përmbys përpara tij,
7 dhe me një britmë të madhe tha: ''Ç'ka ndërmjet mes nesh dhe teje, o Jezus, Bir i Perëndisë të shumë të lartit? Unë të përgjërohem në emrin e Perëndisë, mos më mundo!;''.
8 Sepse ai i kishte thënë: ''Frymë e ndyrë, dil prej këtij njeriu!''.
9 Atëhere Jezusi e pyeti: ''Cili është emri yt?''. Dhe ai u përgjigj duke thënë: ''Unë quhëm Legjion, sepse jemi shumë''.
10 Dhe i lutej me të madhe që ai të mos i përzinte nga ajo krahinë.
11 Tani aty ishte, në brinjë të malit, një tufë e madhe derrash që kulloste.
12 Atëhere gjithë demonët e lutën duke thënë: ''Na dërgo në derrat, që të hymë në ta''.
13 Dhe Jezusi menjëherë u lejoi atyre; atëherë frymërat e ndyra mbasi dolën, hynë në derrat dhe tufa u hodh poshtë nga gremina në det; ishin afërsisht dymijë krerë, dhe u mbytën në det.
14 Atëherë ata që i kullotnin derrat ikën dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra; dhe njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur.
40 Dhe erdhi tek ai një lebroz i cili, duke iu lutur, ra në gjunj dhe i tha: ''Po të duash, ti mund të më pastrosh''.
41 Dhe Jezusi, duke e mëshiruar, shtriu dorën, e preku dhe i tha: ''Po, e dua, qofsh pastruar!''.
42 Dhe, posa tha këto, menjëherë lebra e la dhe u shërua.
1 Ishte atëherë i sëmurë një farë Llazari nga Betania, fshati i Marisë dhe i Martës, motrës së saj.
2 Maria ishte ajo që e vajosi me vaj erëkëndëshëm Zotin dhe ia fshiu këmbët me flokët e saj; dhe vëllai i saj, Llazari, ishte i sëmurë.
3 Prandaj motrat i dërguan fjalë Jezusit: ''Zot, ja, ai që ti e do shumë është i sëmurë''.
4 Dhe Jezusi si dëgjoi këto tha: ''Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë, që nëpërmjet saj të përlëvdohet Biri i Perëndisë''.
5 Por Jezusi e donte Martën, motrën e saj dhe Llazarin.
6 Kur dëgjoi se Llazari ishte i sëmurë, qëndroi edhe dy ditë në vendin ku ishte.
7 Pastaj u tha dishepujve: ''Të kthehemi përsëri në Jude''.
8 Dishepujt i thanë: ''Mësues, pak më parë Judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë dhe ti po shkon përsëri atje?''.
9 Jezusi u përgjigj: ''Nuk janë vallë dymbëdhjetë, orët e ditës? Kur dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote,
10 por nëse dikush ecën natën, pengohet, sepse drita nuk është në të''.
11 Mbasi i tha këto gjëra, shtoi: ''Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj''.
12 Atëherë dishepujt e tij thanë: ''Zot, po të flejë, do të shpëtojë''.
13 Por Jezusi u kishte folur për vdekjen e tij, kurse ata pandehnin se kishte folur për fjetjen e gjumit.
14 Atëherë Jezusi u tha atyre haptas: ''Llazari ka vdekur.
6 Por ai e thoshte këtë për ta vënë në provë, sepse ai e dinte ç'do të bënte.
7 Filipi iu përgjigj: ''Dyqind denarë bukë nuk do të mjaftojnë për ata, që secili prej tyre mund të ketë një copë''.
8 Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga dishepujt e tij, i tha:
9 ''Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël; por ç'janë këto për aq njerëz?''.
10 Dhe Jezusi tha: ''Bëjini njerëzit të ulen!''. Por në atë vend kishte shumë bar. Njerëzit, pra, u ulën dhe ishin në numër rreth pesë mijë.
11 Pastaj Jezusi mori bukët dhe, pasi falenderoi, ua ndau dishepujve dhe dishepujt njerëzve të ulur; të njëjtën gjë bënë edhe me peshqit, aq sa deshën.
12 Dhe mbasi ata u ngopën, Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Mblidhni copat që tepruan, që të mos shkojë dëm asgjë''.
13 I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa nga ato pesë bukë prej elbi që u tepruan atyre që kishin ngrënë.
18 Në mëngjes, kur po kthehej në qytet e mori uria.
19 Dhe gjatë rrugës pa një fik dhe iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve; dhe i tha: ''Mos u lidhtë më kurrë fryt prej teje përjetë!''. Dhe fiku u tha menjëherë.
20 Kur e panë këtë, dishepujt u çuditën dhe thanë: ''Qysh u tha fiku në çast?''.
21 Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: ''Në të vërtetë ju them që, po të keni besim dhe të mos dyshoni, do të bëni jo vetëm atë që unë i bëra fikut, por, edhe sikur t'i thoni këtij mali: "Hiqu andej dhe hidhu në det", kjo do të ndodhë.
22 Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke patur besim, do të merrni''.
1 Pas këtyre ngjarjeve ishte një festë e Judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem.
2 Në Jeruzalem, afër portës së dhenve, është një pellg që në hebraisht quhet Betesda, dhe ka pesë portikë.
3 Nën to dergjeshin një numër i madh të lënguarish: të verbër, të çalë dhe të paralizuar, të cilët prisnin lëvizjen e ujit.
4 Sepse një engjëll, kohë pas kohe, zbriste në pellg dhe e lëvizte ujin; dhe i pari që hynte, mbasi uji ishte lëvizur, shërohej nga çfarëdo sëmundje që të kishte.
5 Aty ishte një njeri i lënguar prej tridhjetë e tetë vjetësh.
6 Jezusi, duke e parë shtrirë dhe duke ditur se prej shumë kohe ishte në atë gjendje, i tha: ''A dëshiron të shërohesh?''.
7 I lënguari u përgjigj: "Zot, unë s'kam njeri që, kur lëviz uji, të më fusë në pellg; dhe, ndërsa unë po shkoj, një tjetër zbret para meje''.
8 Jezusi i tha: ''Çohu, merr vigun tënd dhe ec!''.
9 Njeriu u shërua në çast, mori vigun e tij dhe eci. Atë ditë ishte e shtunë.
38 Mbasi doli nga sinagoga, Jezusi hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta; dhe ata e lutën për të.
39 Ai u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lëshuan; dhe ajo u ngrit menjëherë dhe filloi t'u shërbejë.
12 Tani kur dita filloi të mbarojë, të dymbëdhjetët iu afruan dhe i thanë: ''Nise turmën, që të shkojë nëpër fshatra e nëpër fushat përreth, që të gjejë strehë dhe ushqim, sepse këtu jemi në një vend të shkretë''.
13 Por ai u tha atyre: ''U jepni ju të hanë''. Ata u përgjigjen: ''Ne nuk kemi tjetër veç se pesë bukë e dy peshq; vetëm nëse shkojmë vetë të blejmë ushqim për gjithë këta njerëz''.
14 Ishin, pra, rreth pesë mijë burra. Por ai u tha dishepujve të vet: ''I vini të ulen në grupe nga pesëdhjetë''.
15 Ata vepruan në këtë mënyrë dhe i ulën të gjithë.
16 Atëherë ai i mori të pesë bukët dhe të dy peshqit dhe, pasi i ngriti sytë drejt qiellit, i bekoi, i ndau dhe ua dha dishepujve të vet që t'ia shpërndajnë turmës.
17 Dhe të gjithë hëngrën e u ngopën; nga copat që tepruan mblodhën dymbëdhjetë shporta.
20 Dhe ja një grua, e cila vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga një fluks gjaku, iu afrua nga mbrapa dhe i preku cepin e rrobes së tij.
21 Sepse thoshte me vete: ''Po të prek vetëm rroben e tij, do të shërohem''.
22 Jezusi u kthye, e pa dhe tha: ''Merr zemër, o bijë; besimi yt të ka shëruar''. Dhe që në atë çast gruaja u shërua.
48 Dhe kur i pa dishepujt që po mundoheshin duke vozitur, sepse era ishte kundër tyre, aty nga roja e katërt e natës, ai u nis drejt tyre duke ecur përmbi det dhe donte t'i kalonte.
49 Por ata, kur e panë që po ecte mbi det, menduan se ishte një fantazmë dhe filluan të bërtasin,
50 sepse e kishin parë të gjithë dhe ishin trembur; por ai menjëherë filloi të flasë me ta dhe tha: ''Merrni zemër, jam unë, mos kini frikë!''
51 Pastaj hipi në barkë me ta dhe era pushoi; dhe ata mbetën jashtëzakonisht të habitur në veten e tyre dhe u mrekulluan,
2 Dhe ja, një lebroz erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: ''O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh''.
3 Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: ''Po, unë dua, shërohu''. Dhe në atë çast u shërua nga lebra e tij.
4 Atëherë Jezusi i tha: ''Ruhu se ia tregon kujt; por shko, paraqitu te prifti, bëj flijimin që ka urdhëruar Moisiu, me qëllim që kjo të jetë dëshmi për ta''.
1 Si e përfundoi gjithë këtë ligjëratë drejtuar popullit që e dëgjoi, hyri në Kapernaum.
2 Tani një centurion kishte një shërbëtor që e donte shumë; e kishte të sëmurë keq për vdekje.
3 Dhe centurioni, kur dëgjoi për Jezusin, i dërgoi disa pleq Judenj që ta lusnin të vinte e të shëronte shërbëtorin e tij.
4 Si arritën te Jezusi, ata e lutën me ngulm duke i thënë: ''Ai e meriton që ti ta pranosh këtë gjë,
5 sepse ai e do popullin tonë dhe ai na e ndërtoi sinagogën''.
6 Atëherë Jezusi shkoi me ta. E kur ishte jo shumë larg shtëpisë, centurioni dërgoi disa miq të tij për t'i thënë: ''Zot, mos u shqetëso, sepse unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën pullazin tim.
7 Për këtë shkak nuk e çmova veten të denjë të vij tek ti; por ti fol një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.
8 Sepse edhe unë jam një njeri nën autoritetin e tjetërkujt dhe kam nën urdhër ushtarë; dhe i them njerit: "Shko", dhe ai shkon; dhe një tjetri: "Eja", dhe ai vjen; dhe shërbëtorit tim: "Bëjë këtë", dhe ai e bën''.
9 Kur i dëgjoi këto fjalë, Jezusi u mrekullua prej tij, dhe, duke iu drejtuar turmës që i vinte pas, tha: ''Unë po ju them se as në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh''.
10 Dhe, kur të dërguarit u kthyen në shtëpi, shërbëtorin, që kishte qenë i sëmurë, e gjetën të shëruar.
15 Pastaj në mbrëmje dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: ''Ky vend është i shkretë dhe u bë vonë; lejo turmat të shkojnë nëpër fshatra për të blerë ushqime''.
16 Por Jezusi u tha atyre: ''Nuk është nevoja të shkojnë; u jepni juve të hanë''.
17 Dhe ata i thanë: ''Ne këtu nuk kemi tjetër përveç pesë bukë dhe dy peshq''.
18 Dhe ai u tha: ''M'i sillni këtu''.
19 Atëherë i urdhëroi që turmat të ulen mbi bar; pastaj i mori pesë bukët dhe dy peshqit dhe, pasi i çoi sytë drejt qiellit, i bekoi; i ndau bukët dhe ua dha dishepujve, dhe dishepujt turmave.
20 Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; pastaj dishepujt mblodhën tepricat në dymbëdhjetë kosha plot.
21 Dhe ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët.
24 Kur lajmëtarët e Gjonit u larguan, ai filloi t'u thotë turmave për Gjonin: ''Ç'dolët të shihni në shkreti? Një kallam që e tund era?
25 Po, ç'dolët të shihni? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ja, ata që veshin rroba të shkëlqyera dhe jetojnë në bollëk banojnë në pallatet e mbretërve.
26 Por, ç'dolët të shihni? Një profet? Po, unë po ju them: akoma më shumë se një profet.
27 Ai është ai për të cilin u shkrua: "Ja, unë po dërgoj përpara fytyrës tënde lajmëtarin tim, që do ta përgatitë rrugën sate para teje".
28 Sepse unë po ju them që nga të lindurit prej gruaje nuk ka asnjë profet më të madh se Gjon Pagëzori; por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai''.
29 Dhe gjithë populli që e dëgjoi dhe tagrambledhësit e pranuan drejtësinë e Perëndisë dhe u pagëzuan me pagëzimin e Gjonit.
30 Por farisenjtë dhe mësuesit e ligjit e refuzuan planin e Perëndisë për ta dhe nuk u pagëzuan.
19 Dhe pasi kishin vozitur rreth njëzet e pesë ose tridhjetë stade, panë Jezusin që po ecte mbi det dhe po i afrohej barkës dhe patën frikë.
20 Por ai u tha atyre: ''Jam unë, mos druani!''.
21 Ata, pra, deshnin ta merrnin në barkë, dhe menjëherë barka u bregëzua në atë vend ku ishin drejtuar.
1 Dhe ndodhi që një ditë të shtunë, kur ai hyri në shtëpinë e një kryetari të farisenjve për të ngrënë bukë, ata po e përgjonin;
2 dhe ja, para tij ishte një njeri hidropik.
3 Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur mësuesve të ligjit dhe farisenjve, tha: ''A është e lejueshme të shërosh ditën e shtunë?''.
4 Por ata heshtën. Atëherë ai e mori për dore atë, e shëroi dhe e nisi të shkojë.
21 Pastaj Jezusi, pasi u largua që andej, u nis drejt rrethinave të Tiros dhe të Sidonit.
22 Dhe ja, një grua kananease, që kishte ardhur nga ato anë, filloi të bërtasë duke thënë: ''Ki mëshirë për mua, o Zot, o Bir i Davidit! Vajza ime është tmerrësisht e pushtuar nga një demon!''.
23 Por ai nuk iu përgjigj fare. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe iu lutën duke thënë: ''Lëshoje atë, sepse po bërtet pas nesh''.
24 Por ai u përgjigj dhe tha: ''Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit''.
25 Por ajo erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: ''O Zot, ndihmomë!''.
26 Ai u përgjigj, duke thënë: ''Nuk është gjë e mirë të marrësh bukën e fëmijëve dhe t'ua hedhësh këlyshëve të qenve''.
27 Por ajo tha: ''Éshtë e vërtetë, Zot, sepse edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre''.
28 Atëherë Jezusi iu përgjigj duke thënë: ''O grua, i madh është besimi yt! T'u bëftë ashtu si dëshiron''. Dhe që në atë çast e bija u shërua.
22 Në një prej atyre ditëve ndodhi që Jezusi hipi në një barkë bashkë me dishepujt e vet dhe u tha: ''Të kalojmë në bregun tjetër të liqenit''. Dhe ata u larguan nga bregu.
23 Ndërsa po lundronin, atë e zuri gjumi; dhe një furtunë ra mbi liqen, aq sa barka po mbushej, dhe ishin në rrezik.
24 Atëherë ata iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: ''Mësues, Mësues, po mbytemi!''. Dhe ai u zgjua, i bërtiti erës dhe tërbimit të ujit; dhe këto u qetësuan dhe u bë bunacë.
25 Dhe Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Ku është besimi juaj?''. Dhe ata, të frikësuar, mrekulloheshin dhe i thoshnin njeri tjetrit: ''Vallë, kush është ky, që urdhëron edhe erën dhe ujin, dhe ata i binden?''.
27 dhe, porsa Jezusi zbriti në tokë, i doli përpara një njeri nga ai qytet, i cili prej shumë kohe ishte pushtuar nga demonët, nuk vishte rroba, nuk banonte në shtëpi, por ndër varreza.
28 Kur e pa Jezusin, lëshoi një britmë, iu hodh ndër këmbë dhe tha me zë të lartë: ''Ç'ka mes meje dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë Shumë të Lartë? Të lutem, mos më mundo!''.
29 Sepse Jezusi po i jepte urdhër frymës së ndyrë të dilte nga ai njeri, sepse shumë herë e kishte pushtuar dhe ndonëse e kishin lidhur me zinxhirë e me pranga dhe e ruanin, ai i këpuste prangat dhe shtyhej prej demonit nëpër shkretëtirat.
30 Dhe Jezusi e pyeti duke thënë: ''Si e ke emrin?''. Dhe ai u përgjigj: ''Legjion''. Sepse shumë demonë i kishin hyrë në të.
31 Dhe ata e lutnin të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë.
32 Dhe aty ishte një tufë e madhe derrash që kullotnin në mal, dhe këta demonë iu lutën t'i lejonte të hynin në ta. Ai ua lejoi atyre.
33 Atëherë demonët, si dolën nga ai njeri, hynë te derrat, dhe ajo tufë u turr nga gremina në liqen dhe u mbyt.
34 Kur panë ç'ndodhi, ata që i ruanin derrat ikën dhe e çuan lajmin në qytet e nëpër fshatra.
35 Atëherë njerëzit dolën për të parë ç'kishte ndodhur dhe erdhën te Jezusi, dhe gjetën atë njeri, nga i cili kishin dalë demonët, të ulur te këmbët e Jezusit, të veshur dhe me mendje në rregull, dhe patën frikë.
22 Atëhere erdhi një nga krerët e sinagogës, me emër Jair, që, kur e pa, i ra ndër këmbë,
23 dhe ju lut me të madhe duke thënë: ''Ime bijë është duke dhënë shpirt; eja, vëri duart mbi të që të shërohet dhe të jetojë!''.
24 Dhe ai shkoi me të. Një turmë e madhe e ndiqte dhe shtyhej rreth tij.
22 Pastaj arriti në Betsaida; dhe i prunë një të verbër e iu lutën ta prekte.
23 Atëherë e mori për dore të verbërin, e nxori jashtë fshatit dhe, pasi i pështyu në sy dhe vuri duart mbi të, e pyeti nëse shihte gjë.
24 Dhe ai, duke hapur sytë, tha: ''Po shoh njerëz si pemë që ecin''.
25 Atëherë Jezusi i vuri përsëri duart mbi sytë dhe e bëri të shikojë lart; dhe atij iu kthye të parit dhe shikonte qartë gjithçka.
26 Dhe Jezusi e nisi të shkojë në shtëpinë e tij duke i thënë: ''Mos hyr në fshat dhe mos ia trego askujt në fshat''.
29 Kur po dilnin nga Jeriko, një turmë e madhe e ndoqi.
30 Dhe ja, dy të verbër që uleshin gjatë rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezusi, filluan të bërtasin duke thënë: ''Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit''.
31 Por turma i qortoi që të heshtnin; por ata bërtisnin edhe më fort duke thënë: ''Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit!''.
32 Atëherë Jezusi ndaloi, i thirri dhe tha: ''Çfarë doni të bëj për ju?''.
33 Ata i thanë: ''Zot, të na hapen sytë!''.
34 Dhe Jezusi pati mëshirë për ta dhe ua preku sytë e tyre; dhe në atë çast u erdhi drita e syve dhe ata e ndiqnin.
43 Dhe një grua që kishte një fluks gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh dhe kishte shpenzuar ndër mjekë gjithë pasurinë e saj, pa mundur që të shërohej nga njeri,
44 iu afrua nga pas dhe i preku cepin e rrobës së tij dhe në atë çast iu pre fluksi i gjakut.
45 Dhe Jezusi tha: ''Kush më preku?''. Mbasi të gjithë e mohuan, Pjetri dhe ata që ishin me të, thanë: ''Mësues, turmat po shtyhen dhe po të ndeshin dhe ti thua: "Kush më preku?"''.
46 Por Jezusi tha: ''Dikush më preku, sepse e ndjeva që një fuqi doli prej meje''.
47 Atëherë gruaja, duke parë se nuk mbeti e padiktuar, erdhi, duke u dridhur e tëra, dhe i ra ndër këmbë dhe i deklaroi në prani të gjithë popullit, përse e kishte prekur dhe si ishte shëruar në çast.
48 Dhe ai i tha: ''Merr zemër, bijë; besimi yt të shëroi; shko në paqe!''.
10 dhe ja, aty ishte një burrë të cilit i qe tharë dora. Ata e pyetën Jezusin, me qëllim që ta padisin më pas: ''A është e lejueshme që dikush të shërojë ditën e shtunë?''.
11 Dhe ai u tha atyre: ''A ka ndonjë prej jush që ka një dele, dhe ajo bie në një gropë ditën e shtunë, dhe e ai nuk shkon ta nxjerrë jashtë?
12 E, pra, sa më i vlefshëm është njeriu se delja! A është, pra, e lejueshme të bësh të mirën të shtunën?''.
13 Atëherë ai i tha atij burri: ''Shtrije dorën tënde!''. Dhe ai e shtriu dhe ajo iu shëndosh si tjetra.
23 Atëherë në sinagogën e tyre ishte një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë, i cili filloi të bërtasë,
24 duke thënë: ''Ç'ka midis nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatë-rrosh? Unë e di kush je: I Shenjti i Perëndisë''.
25 Por Jezusi e qortoi duke thënë: ''Hesht dhe dil prej tij!''.
26 Dhe fryma e ndyrë, mbasi e sfiliti, dhe duke lëshuar një britmë të madhe doli prej tij.
14 Kur arritën afër turmës, një burrë iu afrua dhe, duke u gjunjëzuar para tij,
15 tha: ''Zot, ki mëshirë për birin tim, sepse është epileptik dhe vuan shumë; shpesh ai bie në zjarr dhe shpesh në ujë.
16 Tani unë e solla te dishepujt e tu, por ata nuk mundën ta shërojnë''.
17 Dhe Jezusi duke u përgjigjur tha: ''O brez që nuk beson dhe i çoroditur! Deri kur do të qëndroj midis jush? Deri kur do t'ju duroj? E sillni këtu tek unë''.
18 Atëherë Jezusi e qortoi demonin dhe ky doli nga djali; dhe që nga ai çast djali u shërua.
2 Dhe ja, iu paraqit një paralitik i shtrirë në vig; dhe Jezusi, kur pa besimin që kishin ata, i tha paralitikut: ''Merr zemër, o bir, mëkatet e tua të janë falur!''
3 Atëherë disa skribë thanë me vete: ''Ky po blasfemon!''.
4 Por Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, tha: ''Pse mendoni gjëra të mbrapështa në zemrat tuaja?
5 Në fakt, ç'është më e lehtë, të thuash: "Mëkatet e tua të janë falur", apo: "Çohu dhe ec"?
6 Tani, që ta dini se Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet: Çohu (i tha paralitikut), merr vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde''.
7 Dhe ai u çua dhe shkoi në shtëpinë e vet.
20 Të nesërmen në mengjes, duke kaluar, panë se fiku ishte tharë me gjithë rrënjë.
21 Dhe Pjetri, duke u kujtuar, i tha: ''Mësues, ja, fiku që ti mallkove qenka tharë''.
22 Atëherë Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Kini besimin e Perëndisë!
23 Sepse ju them në të vërtetë se nëse dikush do t'i thotë këtij mali: "Luaj vendit dhe hidhu në det", dhe nuk do të ketë dyshime në zemër të vet, por do të besojë se ajo që po thotë do të ndodhë, çdo gjë që të thotë do t'i bëhet.
24 Prandaj po ju them: Të gjitha ato që ju kërkoni duke lutur, besoni se do t'i merrni dhe ju do t'i merrni.
25 Dhe kur nisni të luteni, nëse keni diçka kundër ndokujt, faleni, që edhe Ati juaj që është në qiejt, t'ju falë mëkatet tuaja.
22 Atëherë i paraqitën një të idemonizuar, që ishte i verbër dhe memec; dhe ai e shëroi, kështu që i verbëri e memeci fliste dhe shikonte.
50 Dhe një nga ata i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë.
51 Por Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''Lëreni, mjaft kështu''. Dhe si e preku veshin e atij njeriu, e shëroi.
5 Kur Jezusi hyri në Kapernaum i erdhi një centurion duke iu lutur,
6 dhe duke thënë: ''O Zot, shërbëtori im rri shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë''.
7 Dhe Jezusi i tha: ''Do të vij dhe do ta shëroj''.
8 Centurioni duke u përgjigjur i tha: ''Zot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën strehën time; por thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.
9 Sepse unë jam një njeri nën urdhërin e të tjerëve, dhe i kam ushtarët nën vete; dhe, po t'i them dikujt: "Shko", ai shkon; dhe po t'i them një tjetri: "Eja", ai vjen; dhe po t'i them shërbëtorit tim: "Bëje këtë", ai e bën''.
10 Dhe Jezusi, kur i dëgjoi këto gjëra, u mrekullua dhe u tha atyre që e ndiqnin: ''Në të vërtetë po ju them, se askund në Izrael nuk e gjeta një besim aq të madh.
11 Unë po ju them se shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isaakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve,
12 por bijtë e mbretërisë do të flaken në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllimi dhëmbëve''.
13 Dhe Jezusi i tha centurionit: ''Shko dhe u bëftë ashtu si besove!''. Dhe shërbëtori i tij u shërua që në atë çast.
35 Tani ndërsa ai po i afrohej Jerikos, një i verbër ishte ulur përgjatë rrugës dhe po lypte;
36 dhe kur dëgjoi se po kalonte turma, pyeti çfarë ishte;
37 iu përgjigjën se po kalonte Jezusi nga Nazareti.
38 Atëherë ai bërtiti duke thënë: ''O Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua''.
39 Ata që ecnin përpara i bërtitën të heshtte, por ai bërtiste edhe më fort: ''O Bir i Davidit: ki mëshirë për mua''.
40 Atëherë Jezusi ndaloi dhe urdheroi t'ia sillnin dhe, kur ai iu afrua, e pyeti
41 duke thëne: ''Çfarë dëshiron të bëj për ty?''. Dhe ai tha: ''Zot, të rimarr dritën e syve''.
42 Dhe Jezusi i tha: ''Rimerr dritën e syve, Besimi yt të shëroi''.
43 Në çast rimori dritën e syve dhe e ndiqte duke përlëvduar Perëndinë; dhe gjithë populli, kur pa këtë, i dha lavdi Perëndisë.
18 Ndërsa Jezusi u thoshte këto, iu afrua një nga krerët e sinagogës, ra përmbys para tij, dhe i tha: ''Sapo më vdiq vajza, por eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të jetojë''.
19 Dhe Jezusi u ngrit dhe e ndoqi bashkë me dishepujt e tij.
11 Dhe ja, ishte një grua, e cila prej tetëmbëdhjetë vjetësh kishte një frymë lëngate, dhe ajo ishte krejt e kërrusur dhe në asnjë mënyrë nuk drejtohej dot.
12 Dhe kur Jezusi e pa, e thirri pranë vetes dhe i tha: ''O grua, ti je e liruar nga lëngata jote''.
13 Dhe i vuri duart mbi të dhe ajo u drejtua menjëherë, dhe përlëvdonte Perëndinë.
37 Ndërkaq shpërtheu një furtunë e madhe dhe valët përplaseshin mbi barkë aq shumë sa ajo po mbushej.
38 Ai ndërkaq po flinte në kiç mbi një jastëk. Ata e zgjuan dhe i thanë: ''Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?''.
39 Dhe ai si u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: ''Pusho dhe fashitu!''. Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe.
40 Atëherë u tha atyre: ''Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?''.
41 Dhe ata i zuri një frikë e madhe dhe i thoshnin njëritjetrit: ''Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti?''.
25 Tani një grua që kishte një fluks gjaku që prej dymbëdhjetë vjetësh
26 dhe kishte vuajtur shumë nga ana e mjekëve të ndryshëm duke shpenzuar gjithë pasurinë e vet pa kurrfarë dobie, madje duke u bërë më keq,
27 kur dëgjoi të flitej për Jezusin, u fut në turmë dhe pas shpinës preku rrobën e Jezusit,
28 sepse thoshte: ''Nëse vetëm ia prek rroben e tij, do të shërohem''.
29 Dhe menjëherë rrjedha e gjakut iu ndal dhe ajo ndjeu në trupin e vet se u shërua nga ajo sëmundje.
18 Dhe ja, disa njerëz po sillnin mbi një vig një njeri të paralizuar dhe kërkonin ta fusnin brenda dhe ta vinin përpara tij.
19 Por, duke mos gjetur se si ta fusnin brenda për shkak të turmës, hipën mbi çatinë e shtëpisë dhe e lëshuan përmjet tjegullave me gjithë vig midis njerëzve, përpara Jezusit.
20 Dhe ai, duke parë besimin e tyre, i tha atij: ''Njeri, mëkatet e tua të janë falur''.
21 Atëherë skribët dhe farisenjtë filluan të arsyetojnë duke thënë: ''Kush është ky që thotë blasfemi? Kush mund t'i falë mëkatet, përveç vetëm Perëndi?''.
22 Por Jezusi, duke i njohur mendimet e tyre, e mori fjalën dhe tha: ''Ç'po arsyetoni në zemrat tuaja?
23 Çfarë është më e lehtë, të thuhet: "Mëkatet e tua të janë falur", apo të thuhet: "Çohu dhe ec"?
24 Tani, pra, me qëllim që ju ta dini se Biri i njeriut ka pushtet mbi tokë të falë mëkatet, unë të them (i tha të paralizuarit), çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!''.
25 Dhe menjëherë ai njeri u ngrit përpara tyre, mori vigun mbi të cilin qe shtrirë dhe shkoi në shtëpinë e vet, duke përlëvduar Perëndinë.
11 Dhe ndodhi që duke udhëtuar për në Jeruzalem, ai kaloi nëpër Samari dhe Galile.
12 Dhe, kur po hynte në një fshat, i dolën para dhjetë lebrozë, të cilët ndaluan larg,
13 dhe duke ngritur zërin, thanë: ''Mjeshtër, Jezus, ki mëshirë për ne''.
14 Dhe ai, si i pa, u tha atyre: ''Shkoni e paraqituni te priftërinjtë''. Dhe ndodhi që, ndërsa ata po shkonin, u pastruan.
15 Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë.
16 Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e Jezusit, duke e falënderuar. Ky ishte Samaritan.
17 Jezusi atëherë filloi të thotë: ''A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët?
18 A nuk gjet asnjë që të kthehet për të dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?''.
19 Dhe i tha atij: ''Çohu dhe shko; besimi yt të shëroi''.
1 Në ato ditë, duke qenë se u mblodh një turmë shumë e madhe dhe s'kishin ç'të hanin, Jezusi i thirri dishepujt e vet dhe u tha atyre:
2 ''Kam mëshirë për këtë turmë, sepse u bënë tri ditë që po rri me mua, dhe nuk ka ç'të hajë.
3 Dhe po t'i nis të pa ngrënë në shtëpitë e tyre, do të mbeten udhës; disa prej tyre kanë ardhur që nga larg''.
4 Dhe dishepujt e tij iu përgjigjën: ''Si do të mund t'i ngopte me bukë këta dikush, këtu në shkretëtirë?''.
5 Dhe ai i pyeti: ''Sa bukë keni?''. Ata i thanë: ''Shtatë''.
6 Atëherë ai e urdhëroi turmën të ulet për tokë; dhe mori të shtatë bukët, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të vet që t'ia shpërndajnë turmës; dhe ata ia shpërndanë.
7 Kishin edhe disa peshq të vegjël; mbasi i bekoi, urdhëroi që edhe ata t'i shpërndahen turmës.
8 Kështu ata hëngrën dhe u ngopën; dhe dishepujt çuan shtatë kosha me copat që tepruan.
9 Ata që hëngrën ishin rreth katër mijë veta; pastaj i lejoi.
22 Në një prej atyre ditëve ndodhi që Jezusi hipi në një barkë bashkë me dishepujt e vet dhe u tha: ''Të kalojmë në bregun tjetër të liqenit''. Dhe ata u larguan nga bregu.
23 Ndërsa po lundronin, atë e zuri gjumi; dhe një furtunë ra mbi liqen, aq sa barka po mbushej, dhe ishin në rrezik.
24 Atëherë ata iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: ''Mësues, Mësues, po mbytemi!''. Dhe ai u zgjua, i bërtiti erës dhe tërbimit të ujit; dhe këto u qetësuan dhe u bë bunacë.
25 Dhe Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Ku është besimi juaj?''. Dhe ata, të frikësuar, mrekulloheshin dhe i thoshnin njeri tjetrit: ''Vallë, kush është ky, që urdhëron edhe erën dhe ujin, dhe ata i binden?''.
26 Pastaj lundruan drejt krahinës së Gadareasve, që ndodhet përballë Galilesë;
49 Ndërsa Jezusi vazhdonte të fliste, erdhi një nga shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe i tha: ''Vajza jote vdiq, mos e shqetëso Mësuesin''.
50 Por Jezusi, mbasi i dëgjoi këto, i tha: ''Mos druaj; ti vetëm beso dhe ajo do të shpëtojë''.
51 Si arriti në shtëpi, nuk la asnjeri të hyjë, përveç Pjetrit, Gjonit dhe Jakobit, dhe atin e nënën e vajzës.
52 Të gjithë qanin dhe mbajtën zi. Por ai tha: ''Mos qani; ajo nuk ka vdekur, por po fle''.
53 Dhe ata e përqeshnin; duke e ditur se kishte vdekur.
54 Por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, e kapi për dore dhe thirri duke thënë: ''Vajzë, çohu!''.
55 Asaj iu kthye fryma e saj dhe menjëherë u çua; pastaj Jezusi urdhëroi që t'i jepnin të hante.
56 Dhe prindërit e saj mbetën të habitur. Por Jezusi i porositi të mos i thonin kurrkujt ç'kishte ndodhur.
25 Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det.
41 Dhe ja, erdhi një njeri me emër Jair, që ishte kryetari i sinagogës; ai i ra ndër këmbë Jezusit dhe iu lut të shkonte në shtëpinë e tij,
42 sepse ai kishte një vajzë të vetme rreth dymbëdhjetë vjeçe, që ishte për vdekje. Ndërsa Jezusi po shkonte atje, turma po shtyhej përreth tij.
46 Jezusi erdhi, pra, përsëri në Kanë të Galilesë, ku e kishte bërë ujin verë. Dhe aty ishte një nëpunës i mbretit, djali i të cilit ishte i sëmurë në Kapernaum.
47 Ky, kur dëgjoi se Jezusi kishte ardhur nga Judeja në Galile, shkoi tek ai dhe iu lut që të zbriste e ta shëronte birin e tij, që ishte gati për vdekje.
48 Atëherë Jezusi i tha: ''Po të mos shikoni shenja dhe mrekulli, ju nuk besoni''.
49 Nëpunësi i mbretit i tha: ''Zot, zbrit para se djali im të vdesë''.
50 Jezusi i tha: ''Shko, djali yt jeton!''. Dhe ai njeri i besoi fjalës që i tha Jezusi dhe shkoi.
51 Pikërisht kur ai po zbriste, i dolën përpara shërbëtorët e vet dhe e informuan duke thënë: ''Djali yt jeton!''.
52 Dhe ai i pyeti ata në cilën orë u bë më mirë; ata i thanë: ''Dje në orën e shtatë e lanë ethet''.
53 Atëherë i ati e kuptoi se ishte pikërisht në atë orë në të cilën Jezusi i kishte thënë: ''Djali yt jeton''; dhe besoi ai dhe gjithë shtëpia e tij.
54 Jezusi bëri edhe këtë shenjë të dytë, kur u kthye nga Judeja në Galile.
1 Kur po kalonte, pa një njeri që ishte i verbër që nga lindja.
2 Dhe dishepujt e tij e pyetën duke thënë: ''Mësues, kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?''.
3 Jezusi u përgjigj: ''As ai, as prindërit e tij s'kanë mëkatuar, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë.
4 Unë duhet t'i kryej veprat e atij që më ka dërguar sa është ditë; vjen nata kur askush nuk mund të veprojë.
5 Derisa jam në botë, unë jam drita e botës''.
6 Pasi kishte thënë këto gjëra, pështyu përdhe, bëri baltë me pështymë dhe leu sytë e të verbrit me të.
7 Pastaj i tha: ''Shko, lahu në pellgun e Siloamit'' (që do të thotë: dërguar); dhe ai shkoi atje, u la dhe u kthye duke parë.
32 Pjetri dhe shokët e tij ishin të këputur nga gjumi; po kur u zgjuan plotësisht, panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që ishin bashkë me të.
33 Dhe, ndërsa këta po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit: ''Mësues, për ne është mirë të rrijmë këtu; le të bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian''; por ai nuk dinte ç'thoshte.
14 Dhe Jezusi po dëbonte një demon që ishte memec; dhe ndodhi që, kur demoni doli, memeci foli dhe turmat u mrekulluan.
23 Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët dhe turmën që zhurmonte,
24 u tha atyre: ''Largohuni, sepse vajza nuk ka vdekur, por fle''. Dhe ata e përqeshnin.
25 Pastaj, kur turmën e nxorën jashtë, ai hyri, e zuri për dore vajzën dhe ajo u ngrit.
17 Dhe dikush nga turma, duke u përgjigjur, tha: ''Mësues, të prura djalin tim që ka një frymë memece,
18 dhe e kap kudo, e përplas dhe ai shkumon, kërcëllon dhëmbët dhe i ngrijnë gjymtyrët. Dhe u thashë dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata s'e bënë dot.
19 Dhe ai duke u përgjigjur tha: ''O brez që s'beson, deri kur do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Ma sillni këtu!''.
20 Dhe ata ia prunë. Por, sapo e pa, fryma e përplasi me forcë dhe fëmija, që kishte rënë përtokë, rrokullisej duke shkumuar.
21 Dhe Jezusi e pyeti babanë e atij: ''Sa kohë ka që i ndodh kështu?''. Dhe ai tha: ''Që në fëmijëri.
22 Shpesh e ka hedhur në zjarr dhe në ujë për ta shkatërruar por, nëse mund të bësh diçka, ki mëshirë për ne dhe na ndihmo!''.
23 Dhe Jezusi i tha: ''Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson''.
24 Menjëherë babai i fëmijës, duke bërtitur me lot, tha: ''Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim''.
25 Atëherë Jezusi, duke parë se po vinte turma me vrap, e qortoi frymën e ndyrë duke thënë: ''O frymë memece dhe e shurdhët, unë po të urdhëroj, dil prej tij dhe mos hyr më kurrë tek ai!''.
26 Dhe demoni, duke bërtitur dhe duke e sfilitur fort, doli prej tij. Dhe fëmija mbeti si i vdekur, saqë shumë njerëz thoshin: ''Ka vdekur''.
27 Por Jezusi e zuri për dore, e ngriti dhe ai u çua në këmbë.
28 Dhe kur arriti në bregun tjetër, në krahinën e Gergesenasve, i dolën para dy të demonizuar, që kishin dalë nga varret, dhe ishin aq të tërbuar sa që askush nuk mund të kalonte në atë udhë.
29 Dhe ja, ata filluan të bërtasin duke thënë: ''Ç'është mes nesh dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë? Mos ke ardhur këtu të na mundosh para kohe?''.
30 Jo larg tyre një tufë e madhe derrash po kulloste.
31 Dhe demonët iu lutën duke i thënë: ''Në qoftë se na dëbon, na lejo të shkojmë në atë tufë derrash''.
32 Dhe ai u tha atyre: ''Shkoni!''. Kështu ata, pasi dolën, hynë në atë tufë derrash; dhe ja, gjithë ajo tufë u hodh nga gremina në det, dhe u mbyt në ujë.
33 Dhe ata që i kullotnin ikën dhe, kur shkuan në qytet, i treguan të gjitha këto gjëra, duke përfshirë ngjarjen e të demonizuarve.
34 Dhe ja, gjithë qyteti i doli para Jezusit; dhe, kur e panë, iu lutën që të largohej prej vendit të tyre.
46 Kështu arritën në Jeriko. Kur ai po dilte nga Jeriko me dishepujt e tij dhe me një turmë të madhe, biri i Timoteut, Bartimeu i verbër, ishte ulur gjatë rrugës dhe lypte.
47 Kur dëgjoi se ai që po kalonte ishte Jezusi Nazareas, filloi të bërtasë dhe të thotë: ''Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!''.
48 Shumë e qortonin që të heshte, por ai bërtiste edhe më fort: ''Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!''.
49 Dhe Jezusi qëndroi dhe urdhëroi që ta thërrasin. Ata e thirrën, pra, të verbërin duke i thënë: ''Merr zemër, çohu, ai po të thërret!''.
50 Atëherë ai hodhi tej rrobën e tij, u ngrit dhe erdhi te Jezusi.
51 Dhe Jezusi mori fjalën dhe i tha: ''Çfarë do që unë të të bëj?''. I verbëri i tha: ''Rabboni, që të më kthehet të parit!''.
52 Dhe Jezusi i tha: ''Shko, besimi yt të shëroi''. Dhe në çast atij iu kthye të parit dhe nisi të ndjekë Jezusin në udhë.
1 Dhe ndodhi që Jezusi, kur po ndodhej në bregun e liqenit të Gjenezaretit e ndërsa turma po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Perëndisë,
2 pa dy barka të lidhura në breg të liqenit, nga të cilat kishin dalë peshkatarët dhe po lanin rrjetat.
3 Atëherë hyri në një nga ato barka, në atë që ishte e Simonit, dhe iu lut që të largohej pak nga bregu. U ul dhe mësonte turmat nga barka.
4 Dhe kur mbaroi së foluri i tha Simonit: ''Shko në të thella, dhe hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk''.
5 Dhe Simoni, duke u përgjigjur, i tha: ''Mësues, u munduam gjithë natën dhe nuk zumë asgjë; por, për fjalën tënde, do ta hedh rrjetën.
6 Dhe, si bënë kështu, zunë një sasi aq të madhe peshku, sa po shqyhej rrjeta.
7 Atëherë u bënë shenjë shokëve të tyre që ishin në barkën tjetër, që të vinin e t'i ndihmonin. Dhe ata erdhën dhe i mbushën të dy barkat aq sa gati po fundoseshin.
8 Simon Pjetri, kur pa këtë, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: ''Zot, largohu prej meje, sepse jam njeri mëkatar''.
9 Në të vërtetë Pjetri dhe të gjithë ata që ishin me të, habiteshin për shkak të sasisë së peshkut që kishin zënë.
10 E njëjta gjë u ngjau edhe Jakobit dhe Gjonit, bijve të Zebedeut, që ishin shokë të Simonit. Atëherë Jezusi i tha Simonit: ''Mos ki frikë; tash e tutje ti do të jesh peshkatar njerëzish të gjallë''.
11 Pastaj ata, si i nxorën në breg barkat, lanë çdo gjë dhe ndiqnin.
1 Pastaj ai hyri përsëri në sinagogë dhe aty ishte një njeri që kishte një dorë të tharë.
2 Dhe ata po e ruanin në se do ta shëronte në ditën e së shtunës, që pastaj ta paditnin.
3 Dhe ai i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: ''Çohu në mes të të gjithëve!''.
4 Dhe u tha atyre: ''A është e lejueshme ditën e së shtunës të bësh të mirë apo të keqe, të shpëtosh një jetë apo ta vrasësh?''. Por ata heshtnin.
5 Atëherë ai, si i shikoi rreth e qark me zemërim, i hidhëruar për ngurtësinë e zemrës së tyre, i tha atij njeriu: ''Shtrije dorën tënde!''. Ai e shtriu, dhe dora e tij u shëndosh përsëri si tjetra.
32 Dhe, kur ata po dilnin, i paraqitën një burrë memec dhe të demonizuar.
33 Dhe, mbasi e dëboi demonin, memeci foli dhe turmat u çuditën dhe thanë: ''Nuk është parë kurrë një gjë e tillë në Izrael''.
23 Dhe mbasi ai hipi në barkë, dishepujt e tij e ndiqnin.
24 Dhe ja, që u ngrit në det një stuhi aq e madhe, sa valët po e mbulonin barkën, por ai flinte.
25 Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe e zgjuan duke i thënë: ''O Zot, na shpëto, ne po mbarojmë!''
26 Por ai u tha atyre: ''Pse keni frikë, o njerëz besimpakë?''. Dhe, pasi u ngrit, qortoi erërat dhe detin, dhe u bë bunacë e madhe.
27 Atëherë njërëzit u mrekulluan dhe thoshnin: ''Kush është ky, të cilit po i binden deti dhe erërat?''.